Në këtë muaj, përkatësisht më 24 qershor 2024 do të skadojë licenca e Terminalit Doganor në Ferizaj. Ndonëse terminali aplikimin për licencim ka bërë me kohë ndërsa përkundër kësaj, komisioni i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ende nuk i ka vizituar për të vlerësuar vazhdimin e licencës.
Terminali Doganor në Ferizaj ka bërë kërkesë për ri-licencim në kohë, dhe pretendojnë se i plotësojnë të gjitha kushtet për vazhdim të licencës dhe nëse nuk ri-licencohen, do të shuhen dhjetëra vende pune.
Po ashtu mbi 300 biznese dhe rreth 25 kompani të agjentëve doganor kanë bërë peticione duke kërkuar vazhdimin e licencës të këtij Terminali Doganor.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, thekson për KosovaPress se ky proces ka procedura për vazhdimin e ri-licencimit të këtij terminali.
“Është çështje procedurave, qysh t’i vjen puna procedurave vazhdohet në to, nuk mund të ndërhy unë në procedura, qysh shkon ajo çështje. E marrim vesh atë punë”, thotë shkurt ministri Aliu.
Një muaj më parë, ministri Aliu kishte thënë se kjo çështje mbetet brenda Komisionit përkatës, dhe ka shtuar se do të trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera.
“Ne kemi marrë letër edhe nga Komuna e Ferizajt dhe pak a shumë jemi të njoftuar me situatën, është bërë edhe aplikimi nga ana e kompanisë, e cila sipas ligjit gjashtë ditë para duhet të bëjë aplikimin për vazhdimin e kësaj licence. Çështja e kësaj licence natyrisht do të mbetet brenda komisionit përkatës i cili merret dhe trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera”, kishte deklaruar Aliu për KosovaPress.
Duke komentuar ankesën e kompanisë “Fitorja”, në të cilën thuhet se në rast të mbylljes së këtij Terminali, do të përfitojnë kompanitë transportuese nga Serbia, Aliu thotë se kjo nuk është në të mirën e vendit.
Duke u ballafaquar me këtë situatë, kompania “Fitorja” me seli në Ferizaj, operator i licencuar si Terminal i mallrave i është drejtuar me një ankesë kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, duke kërkuar nga qeveria që t’i vazhdohet licenca e operimit pasi i plotëson të gjitha kushtet dhe mbyllja e terminalit do të ketë dëme për të gjitha palët.
“Nga mosvazhdimi i licencës, njëherësh mbyllja e terminalit, do të dëmtohet shteti ynë, dogana, bizneset dhe agjentët doganorë sepse nga këto ndryshime nuk do të përfitoj askush përpos kompanive transportuese ndërkombëtare si Serbia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi etj, të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me 95%, kurse 5 % të tjera janë kompanitë transportuese vendore të cilat nuk hyjnë në terminale për shkak të lehtësirave doganore”, thuhet ndër të tjera në ankesë.