Në qershor të vitit 2024 do të skadojë licenca e Terminalit Doganor në Ferizaj. Ndonëse terminali ka bërë kërkesë për ri-licencim në kohë, Komisioni për shqyrtim dhe vlerësimin e kërkesës ende nuk ka shkuar në këtë Terminal dhe ende nuk ka asnjë përgjigje. Në ankesën e kompanisë “Fitorja” thuhet se nëse do të mbyllet Terminali, do të përfitojnë kompanitë transportuese nga Serbia dhe shtete e tjera, të cilat e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me 95 për qind.
Ankesa e kompanisë “Fitorja”, peticionet dhe letrat e plota të Agjentëve Doganorë dhe bizneseve drejtuar kryeministrit Albin Kurti, por nga Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur për KosovaPress.
Për këtë është deklaruar për KosovaPress, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili thotë se kjo çështje mbetet brenda Komisionit përkatës, dhe shton do të trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera.
Aliu thekson se pretendimet nga ana e kompanisë dhe ato të Komunës së Ferizajt, do të trajtohen mjaft seriozisht edhe në ministrinë që e drejton ai, por edhe në Ministrinë e Financave.
“Ne kemi marrë letër edhe nga Komuna e Ferizajt dhe pak a shumë jemi të njoftuar me situatën, është bërë edhe aplikimi nga ana e kompanisë, e cila sipas ligjit gjashtë ditë para duhet të bëjë aplikimin për vazhdimin e kësaj licence. Çështja e kësaj licence natyrisht do të mbetet brenda komisionit përkatës i cili merret dhe trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera”, thotë Aliu.
Duke komentuar ankesën e kompanisë “Fitorja”, në të cilën thuhet se në rast të mbylljes së këtij Terminali, do të përfitojnë kompanitë transportuese nga Serbia, Aliu thotë se kjo nuk është në të mirën e vendit.
Duke u ballafaquar me këtë situatë, kompania “Fitorja” me seli në Ferizaj, operator i licencuar si Terminal i mallrave i është drejtuar me një ankesë kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, duke kërkuar nga qeveria që t’i vazhdohet licenca e operimit pasi i plotëson të gjitha kushtet dhe mbyllja e terminalit do të ketë dëme për të gjitha palët.
“Nga mosvazhdimi i licencës, njëherësh mbyllja e terminalit, do të dëmtohet shteti ynë, dogana, bizneset dhe agjentët doganorë sepse nga këto ndryshime nuk do të përfitoj askush përpos kompanive transportuese ndërkombëtare si Serbia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi etj, të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me 95%, kurse 5 % të tjera janë kompanitë transportuese vendore të cilat nuk hyjnë në terminale për shkak të lehtësirave doganore”, thuhet ndër të tjera në ankesë.
“Ne besojmë se mosvazhdimi i licencës, njëherësh mbyllja e terminalit, së pari na dëmton neve si kompani sepse gjatë gjithë kësaj kohe kemi investuar vazhdimisht në këtë sektor.
Së dyti, do të dëmtohet shteti ynë, do të dëmtohet dogana, bizneset dhe agjentët doganorë sepse nga këto ndryshime nuk do të përfitoj askush përpos kompanive transportuese ndërkombëtare si Serbia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi etj, të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me përqindje të lartë, në 95%, kurse 5 % të tjera janë kompanitë transportuese vendore të cilat nuk hyjnë në terminale për shkak të lehtësirave doganore”, thuhet ndër të tjera në ankesë.
“Andaj, ne si kompani ju lutemi që para se të vendosni të mbyllni terminalin të rishqyrtoni edhe njëherë këtë çështje e cila nuk është në dobi të askujt”.
Për këtë çështje, afër 300 biznese dhe rreth 30 agjentë doganor të cilët operojnë në Terminalin e Ferizajt kanë nënshkruar dy peticione të cilat u drejtohen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku shprehin shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre në lidhje me mosvazhdimin e licencës së terminalit në Ferizaj.