Ballkani nuk mund të presë më. Rinisja e aksionit italian në rajon, të cilin qeveria jonë e filloi me Konferencën e Triestes, më 24 janar, gjeti një fazë tjetër të rëndësishme në takimin ministror në Romë, më 3 prill. Së bashku me Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe Presidencën suedeze të radhës të Këshillit të BE-së dhe Komisionerin për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, ne diskutuam se si ta bëjmë më konkret procesin e integrimit evropian të këtij rajoni.
Kemi dëgjuar me vëmendje kërkesën e fortë për Evropën dhe Italinë që vjen nga këto vende, aspiratën e tyre për të qenë pjesë e projektit evropian me të cilin ato ndjehen të lidhura ngushtë nga historia, kultura dhe ekonomia dhe në ndërtimin e të cilit dëshirojnë të kontribuojnë me energjinë e shoqërisë së tyre civile dhe entuziazmin e të rinjve të tyre. Diskutimi zbuloi qartë nevojën për të punuar së bashku për integrimin në mekanizmat dhe jetën institucionale të BE-së që në fazat fillestare të procesit të negociatave, veçanërisht në sektorët kyç si energjia dhe tranzicioni digjital, infrastruktura, arsimi e kërkimi. Dikush nga kolegët e mi ka thënë: "Ne duam të ndihmojmë në vendosjen e fazave të kësaj rruge, jo thjesht t'i ndjekim ato". Unë e mbështes këtë qasje, e cila duhet të përfshijë 6 vendet në ndërtimin e fazave të ardhshme të procesit të integrimit.Takimi në Romë shërbeu për të dhënë përgjigje konkrete menjëherë. Në fakt, falë tryezave të rrumbullakta tematike që kemi organizuar, ne kemi identifikuar një sërë nismash mbi të cilat do të punojmë në muajt në vijim përmes rrjeteve të ekspertëve që do të përpunojnë projekt propozime në sektorë me interes të përbashkët. Të tilla si, për shembull, mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore edhe si përgjigje e sfidave të paraqitura nga ndryshimet klimatike dhe inovacionet teknologjike të aplikuara në sektorin bujqësor dhe agro-industrial.
Unë jam optimist për rezultatet që mund të arrihen, sepse kemi shprehur vullnetin, të gjithë, për të punuar së bashku, për të ndërtuar sinergji që mund t'i japin një të ardhme paqeje dhe prosperiteti rajonit duke punuar për të thyer barrierat që kufizojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, me synimin për një treg të përbashkët rajonal si hapi i parë drejt integrimit në tregun e përbashkët të BE-së. Kemi sfida të përbashkëta me Ballkanin që kërkojnë përgjigje të përbashkëta: tranzicioni energjetik, mbështetja për rritje dhe punësim, lufta kundër migrimit të parregullt.
Kërkesa e fortë për Evropën dhe Italinë që vjen nga Ballkani Perëndimor duhet të pranohet pa vonesë. Për këtë arsye ne kemi vendosur të vazhdojmë dialogun e nisur në Romë me një takim të ri që do të mbahet deri në fund të vitit edhe për të verifikuar ecurinë e bashkëpunimit tonë. Italia dëshiron të luajë një rol udhëheqës dhe është gati të përfshihet, sepse e ardhmja e vendit tonë dhe e Evropës është në rrezik. Ballkani nuk mund të presë më.