Sipas raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyçyk, institucionet e vendit kanë treguar pjekuri në reagimin ndaj sulmit kundër Hristijan Pendikov në Ohër.
Kyçyk thotë se Bullgaria nuk duhet të hyjë në situatë të vendos veto tjetër për rrugën evropiane të Maqedonisë ose nga ana tjetër të lëshojë tone kërcënuese nëpër deklaratat. Në një intervistë për mediat bullgare, euro-deputeti vlerësoi se tensioni në marrëdhëniet dypalëshe do të zgjasë deri në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, duke implikuar përfshirjen e ndikimeve të jashtme.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, ka theksuar se vendi ka reaguar siç duhet ndaj sulmit në Ohër. Ai tha se duhet të ndalet përkeqësimi i marrëdhënieve dypalëshe. Mirëpo, siç shton Osmani, në vendin tonë ka politikë dhe është hapur sezoni i provokatorëve, dhunuesve dhe profiterëve politikë.
Edhe ish kryeministri bullgar Bojko Borisov shprehu frikën se po tentohet, siç tha ai, të kthehet Maqedonia nën ndikimin rus. Presidenti Stevo Pendarovski javën e kaluar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit tha se do të kërkojë ndalimin e hyrjes së disa shtetasve bullgarë, ndër të tjera, për shkak të bashkëpunimit me strukturat ruse. Sipas ministrit Oliver Spasovski, zhvillimet e fundit janë pjesë e një skenari më të madh dhe një lufte hibride duke vlerësuar se po përhapen shumë lajme të rreme./Alsat.mk