Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike: Posta e Kosovës, Infrakos, Trainkos, KRU Prishtina dhe Telekomi i Kosovës, Në kuadër të Masës 4.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike për Mbështetjen e Ndërmarrjeve Publike, kanë nënshkruar sot marrëveshjet e nën-huazimit në vlerë totale prej rreth 5 milionë euro.
Sipas MFPT-së, këto mjete pritet t’u ndihmojnë Ndërmarrjeve Publike në rimëkëmbjen e tyre pas vështirësive financiare me të cilat janë përballur nga rënia e të hyrave, si rezultat i pandemisë COVID-19.
Ministri Murati me këtë rast vlerësoi lartë bashkëpunimin me BERZH-in për mundësimin e kësaj marrëveshje që përkrah Ndërmarrjet Publike. Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar drejt sigurimit të menaxhimit të drejtë dhe profesional të Ndërmarrjeve Publike, si ofrues të rëndësishëm të infrastrukturës vitale të vendit.