Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Messi s’ka të ndalur
Lionel Messi realizoi dy gola vendimtarë, ndërsa Inter Miami përmbysi një disavantazh 2-0 për të fituar 4-2 ndaj Orlando City në derbin e Floridës në Major League Soccer (MLS).
Kampionët në fuqi të MLS-së, të cilët ishin të pamposhtur në ndeshjen hapëse të sezonit, e panë veten në vështirësi të mëdha në pjesën e parë, teksa Orlando kaloi në avantazh të dyfishtë para tifozëve të vet.
Kroati Marco Pašalić zhbllokoi rezultatin në minutën e 18-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Martín Ojeda dyfishoi shifrat pas një aksioni të shpejtë nga krahu i djathtë.
Inter Miami reagoi pas pushimit. Zëvendësuesi Mateo Silvetti ngushtoi shifrat në minutën e 49-të me një goditje spektakolare nga distanca, përpara se Messi të barazonte në 2-2 tetë minuta më pas me një goditje të saktë me të majtën.
Ylli argjentinas ishte sërish protagonist në minutën e 85-të, duke asistuar për Telasco Segovia, i cili kaloi Miamin në avantazh 3-2. Në minutën e 90-të, Messi vulosi fitoren me një goditje dënimi të ulët nga distanca, duke kompletuar përmbysjen e madhe.
Me këta dy gola, Messi numëron tashmë 52 gola në 55 ndeshje në MLS, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e tij vendimtar në futbollin amerikan.
KosovaPress