Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) informon opinionin publik se sqarimi në vijim përbën qëndrimin e vetëm zyrtar të Transmetuesit Publik lidhur me çështjen e pagesës së kredisë së marrë në gusht të vitit 2025. “Çdo deklarim tjetër publik që nuk buron nga kanalet zyrtare të RTK-së konsiderohet i paautorizuar dhe nuk përfaqëson qëndrimin e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm ose të Menaxhmentit të RTK-së”, thuhet në sqarim.
"Në përputhje me kushtet e Marrëveshjes së Huadhënies, të nënshkruar më 21 gusht 2025 për kredinë për likuiditet nr. 02/2025 ndërmjet RTK-së dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është kryer pagesa e shumës totale të detyrimit, që përfshin kryegjënë, interesin dhe interesin ndëshkimor sipas marrëveshjes.
Menaxhmenti i RTK-së rithekson gjendjen e vështirë financiare me të cilën po përballet Transmetuesi Publik. Në këto rrethana, RTK kërkon nga themeluesi i saj, Kuvendi i Republikës së Kosovës, që sapo të rifillojë punën të bëjë rishikimin e buxhetit vjetor të RTK-së dhe të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për financimin e Transmetuesit Publik.
Zgjidhja e kësaj çështjeje është thelbësore për garantimin e funksionimit normal të RTK-së dhe përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës". thuhet në këtë sqarim.