Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar në Komunën e Gjakovës, ku ka takuar sipërmarrës, prodhues dhe udhëheqës të qendrave inovative në këtë komunë.
Krasniqi i shoqëruar nga kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, deputeti Hajdar Beqa dhe nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbënesha Kuqi, në vizitat që i kanë bërë qendrave “BoneVet” e “Jakova Inovation Center”, si dhe ndërmarrjes “KoBa”, kanë diskutuar për sfidat me të cilat po përballen ata dhe të gjithë qytetarët e Gjakovës, si pasojë diskriminimit që po ua bën Qeveria Kurti, duke mos ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale për këtë komunë.Përkundër kësaj, kreu i PDK-së u nda i kënaqur nga të arriturat e ndërmarrësve dhe inovatorëve dhe u zotua që PDK do ta rikthej në nivel qendror modelin efektiv të qeverisjes, që mban fjalën, kryen punë edhe ua lehtëson jetën e qytetarëve.
“Unë jam i impresionuar nga puna që është bërë në të gjitha këto qendra e ndërmarrje të cilat i vizitova sot dhe me të vërtetë, na takon secilit, pavarësisht pozicionit, që të jemi pranë ndërmarrësve, të jemi pranë inovatorëve, që të jemi pranë qytetarëve, për të lehtësuar jetën e tyre, sepse modeli qeverisës ekzistues është model, i cili ka sjellë vetëm regres. Ndërsa, ne besojmë që do të rikthejmë modelin efektiv të qeverisjes, si një qeveri e cila e mban fjalën, që kryen punë edhe që lehtëson jetën e qytetarëve, ashtu siç po bëjmë në të gjitha komunat të cilat udhëhiqen nga kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës”, theksoi Krasniqi.
“Fatkeqësisht, edhe komuna jonë ka pësuar nga buxheti qeveritar për vitin 2024. Jemi diskriminuar dhe kemi zero investime kapitale për Gjakovën. Tash konkretisht jemi në ndërmarrjen “KoBa”, është një ndërmarrës i suksesshëm, një shembull i mirë, Zenun Bajrami, i cili ka pasur një aktivitet të madh në diasporë dhe tash ka ardhur dhe ka investuar në Kosovë. E ka një treg të mirë edhe jashtë vendit, edhe brenda Republikës së Kosovës, por fatkeqësisht nuk ka pasur mbështetje institucionale. Bashkë me kryetarin Memli Krasniqi kemi ardhë të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen që ta mbështesim me një infrastrukturë ligjore përmes nivelit qendror”, tha Beqa.
Gjatë qëndrimit të tij në Gjakovë, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka vizituar edhe organizatën joqeveritare "Medika" dhe verarinë “Risons”.