Memli Krasniqi në Viti: Koalicioni qeverisës po shënon progres
Lexohet për: 3 min.
2
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Vitisë, e cila udhëhiqet nga kryetari Sokol Haliti në bashkëqeverisje me PDK-në, ku u diskutua për zhvillimet në këtë komunë dhe për progresin që po shënon koalicioni qeverisës.

Lideri i PDK-së u shpreh i kënaqur me pritjen që iu bë nga kryetari i Komunës së Vitisë, nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj Komune, Bekim Azizi dhe bashkëpunëtorët e tyre.

"Këtu shoh një vullnet të madh për të zbatuar zotimet e bëra bashkërisht para qytetarëve dhe jam i sigurt që besimi i qytetarëve të Vitisë, që i kanë mveshur me përgjegjësi edhe njëherë kryetarin e Komunës, por edhe partnerët e koalicionit nga PDK-ja, vërtet do të zbatohet ashtu siç është deklaruar jo vetëm gjatë fushatës, por edhe në angazhimet e tyre ditore", tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së kritikoi Qeverinë Kurti për shpërfilljen e projekteve me rëndësi në Komunën e Vitisë, si dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin që brenda mundësive që ka PDK si lidere e opozitës të ndihmojë në përshpejtimin e përfundimit të projekteve përmes Kuvendit të Kosovës.

"Nuk mund të mos e shpreh shqetësimin për neglizhencën nga qeveria qendrore për komunat në përgjithësi, por edhe Vitinë në veçanti, sidomos për projektet që kanë në fokus lehtësimin e jetës së qytetarëve. Ato janë të shumta, dhe një prej tyre është ndërlidhja e lokalitetit të Gërlicës me autostradën, që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik, por edhe projekte të tjera të planifikuara, e që tash janë të penguara", theksoi ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti duke falënderuar kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi për vizitën, tha se e njoftoi atë lidhur me strategjinë ekonomike lokale, progresin dhe sfidat që po hasin si Komunë.

"Kishim kënaqësinë që sot të kemi mysafir kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet, Memli Krasniqi, të cilin e njoftova për ecuritë në komunë, rrjedhat, punët, progresin, implementimin e projekteve dyvjeçare dhe atyre njëvjeçare, problematikat që po na krijohen e që i kemi në vazhdimësi, dhe tejkalimin e kësaj situate, por edhe për sfidat që ka Komuna e Vitisë", tha Haliti. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025