Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe BE, ndërsa u ka bërë thirrje pesë vendeve evropiane që nuk e kanë njohur ende vendin, ta bëjnë një gjë të tillë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova është e vendosur fuqishëm në anën e duhur, për dallim nga Serbia që vazhdon në anën e gabuar të historisë, duke iu referuar kështu luftës në Ukrainë.
Postimi i plotë:
Serbia edhe me qëndrimin e fundit pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën tregoi përcaktimin e qartë pro-rus.
Një keqardhje hipokrite dhe qëndrim kontradiktor për agresionin rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë se pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së.
Republika e Kosovës, institucionet dhe populli i saj kërkojnë nga SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe gjitha vendet e rreshtuara kundër agresionit rus ndaj Ukrainës që të dënojnë qëndrimin mashtrues dhe kontradiktor të Serbisë.
Pasojat e përpjekjeve për ta joshur Serbinë drejt Perëndimit me lëshime në dëm të konstruktivitetit maksimal politik të Republikës së Kosovës, mund të jenë të rrezikshme, dhe një mundësi e mirë që Serbia të vazhdoj aleancën e ngushtë me Rusinë edhe në të ardhmen.
Përsërisim se është koha që nuk pret, që edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së si dhe Qipro si anëtare e BE-së, të njohin shtetin tonë.
Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, rrahu kambanën për të gjithë, se kjo është koha që të dihet se kush është në anën e duhur e kush në atë të gabuar të historisë.
Kosova, krahas vendeve tjera demokratike doli fuqishëm në mbrojtje të vlerave të Lirisë, Paqes e Demokracisë dhe solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe popullin e saj liridashës dhe paqedashës.
Prandaj, mos hezitoni!
Është koha sot, që nuk pret nesër, për vendimin tuaj të duhur!
Kosova në BE!