Mediumi polak: ​Qeveria serbe blen media për të shtrirë propagandën në Evropë përmes Telekomit të Serbisë
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Mediumi polak: ​Qeveria serbe blen media për të shtrirë propagandën në Evropë përmes Telekomit të Serbisë
Qeveria e Serbise
25/06/2026 - 15:25
Linku u kopjua

Një rrjet mediatik me pronësi të lidhur me shtetin serb po zgjerohet në Evropën Qendrore dhe Lindore me synimin për të përhapur narrativa pro-ruse, anti-BE dhe konservatore, duke përdorur Poloninë si pikë hyrëse. Kjo është ajo që pretendohet në një material të publikuar nga Gen Zette, i bazuar në një hulumtim të medias polake OKO.press.

Sipas këtij raporti, televizioni NewsMax Polska, i cili prezantohet si një media polake me identitet vizual dhe emër që i referohet rrjetit amerikan Newsmax, është në pronësi të një strukture që çon deri te Telekom Srbija, kompania shtetërore serbe, transmeton KosovaPress.

Materiali shpjegon se botuesi i NewsMax Polska është Newsmax Gateway B.V., një degë e NewsMax Balkans, e cila kontrollohet përfundimisht nga Telekom Srbija, ku aksionari kryesor është shteti serb.

Sipas analizës së publikuar nga Gen Zette, Telekom Srbija ka raportuar humbje të konsiderueshme financiare ndër vite, por megjithatë ka vazhduar të blejë media në vende të ndryshme evropiane. Autorët e krahasojnë këtë model me zgjerimin e ndikimit mediatik të kryeministrit hungarez Viktor Orban, duke argumentuar se qëllimi kryesor është ndikimi politik dhe jo fitimi ekonomik.

Raporti pretendon se NewsMax Polska promovon narrativa pro-ruse dhe të afërta me lëvizjen amerikane MAGA, ndërsa rrjeti i pronësisë lidhet me media që, sipas autorëve, kanë lidhje të dokumentuara me Rusinë, partinë në pushtet në Serbi dhe figura të lidhura me krimin e organizuar.

Në analizë thuhet se, ndonëse propaganda pro-ruse nuk ka pasur ndikim të madh në Poloni, objektivi është më i gjerë: përdorimi i Polonisë, dhe potencialisht i Rumanisë, si baza për përhapjen e mesazheve anti-liberale dhe anti-Bashkim Evropian në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore.

Po ashtu, autorët argumentojnë se Serbia shërben si një platformë operacionale për këtë zgjerim mediatik, ndërsa theksojnë se Polonia dhe shtetet baltike kanë qenë ndër kundërshtarët më të zëshëm të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, çka, sipas tyre, përbën një motiv shtesë për rritjen e ndikimit në këto vende.

Në material citohet edhe një sondazh i Eurobarometrit 2025, sipas të cilit perceptimi i qytetarëve evropianë për ekspozimin ndaj dezinformimit dhe lajmeve të rreme është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2022. Analiza thekson se shoqëritë me media të polarizuara, sisteme arsimore më të dobëta dhe pabarazi të lartë ekonomike janë më të prekshme ndaj dezinformimit, transmeton KosovaPress.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026