Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe nga Lugina e Preshevës, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimin e informimit shqip në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe sfidat me të cilat ato përballen.
Përfaqësuesit e mediave të Luginës shfaqën shqetësime serioze në lidhje me diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe në veçanti situatën e paqëndrueshme dhe diskriminuese ndaj mediave shqipe në Luginë.
Nevoja për qëndrueshmëri financiare është një çështje kyçe për bashkëpunim, rritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së informimit shqip në Luginë, duke respektuar parimet e gazetarisë së pavarur dhe etikën profesionale.
Zëvendëskryeministri Bislimi i njoftoi pjesëmarrësit rreth mundësive të bashkëfinancimit nga mjetet e buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës. Gjithashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë për të mbështetur dhe kontribuar pozitivisht në përmirësimin e situatës në Luginën e Preshevës.