Nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” nisën ditën e sotme më ndryshe nga zakonisht. Ora e parë mësimore iu kushtua përkujtimit të Epopesë së UÇK-së, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Aktiviteti përkujtimor filloi me shfaqjen e një dokumentari kushtuar Epopesë së UÇK-së, përmes të cilit nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë për ngjarjet historike, sakrificën dhe qëndresën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë kësaj ore përkujtimore, nxënësve u është treguar edhe rrëfimi i Besarta Jashari, e mbijetuara e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Rrëfimi i saj për sakrificën dhe qëndresën e familjes Jashari i emocionoi nxënësit, duke u dhënë atyre një pasqyrë më të afërt të ngjarjeve që shënuan historinë e vendit.
Gjithashtu, drejtoresha e Shkollës Naim Frashëri, Merita Haxhiu, ka folur për KosovaPress rreth përgatitjeve që ka bërë shkolla për shënimin dhe nderimin e kësaj dite të rëndësishme.Përmes këtij aktiviteti, shkolla synon që nxënësit të njihen më mirë me historinë e Kosovës. Aktivitete të tilla përkujtimore konsiderohen të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj dhe për ruajtjen e kujtesës historike.