Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka fajësuar partitë opozitare për çështjen e presidentit. Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për zgjedhjen e presidentit, tha se opozitarët kanë pasur qasje destruktive në këtë proces, raporton KosovaPress.
Sipas tij, oferta e tyre e fundit karshi PDK-së dhe LDK-së për propozimin e tri kandidatëve për president ka qenë gjeneroze, mirëpo të njëjtat zgjodhën heshtjen.
Në një fjalim të gjatë rreth 42 minutash, Kurti tha se problemi nuk janë ofertat e kandidatët.
Ai ceku edhe se po të vihej në sprovë VV-ja ka emra ndërmend, poqë opozita nuk i testoi ata.“Paramendojeni po të na vinin ata në sprovë neve me tre emra. S’po dua të ju testojë tash çfarë emrash kam unë ndërmend. Kanë mundur t’i sjellin tre emra dhe të na testojnë. Por, nuk kanë qenë të interesuar sepse s’kanë qenë asnjëherë me interesim për hapa përpara. Nuk ka pasur as emra, as kundër oferta, dhe as nuk po shfrytëzohet kjo ofertë. Kjo mungesë e trefishtë lë vetëm një shpjegim të mundshëm, që problemi nuk janë ofertat por kandidatët. Problemi është që nuk ka respekt ndaj verdiktit të popullit, nuk po respektohet rezultati i zgjedhjeve. Njëjtë si vitin e kaluar, qëllimi është që të dëmtohet Vetëvendosje si fituese, ashtu që të ketë sa më pak mandate dhe sa më shumë të duket që Kosova nuk është vend stabil në kuptimin institucional”, deklaroi ai.
Kryeministri Albin Kurti i është lutur deputetëve të partive opozitare për të ardhur në Kuvend dhe votuar siç ka thënë presidentin konsensual.