Në edicionin e 19-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit që është hapur sot në kryeqytet, po marrin pjesë mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit, Daulina Osmani tha se përmes këtij panairi po promovohet pasuria natyrore e ujore që ka Kosova.
“Kosova, mirëpo edhe i gjithë rajoni me pasuri të shumta natyrore e ujore ka hapësire jashtëzakonisht të madhe për promovimin e turizmit sportiv, mirëpo përtej kësaj Kosova nga viti në vit po shndërrohet në një lokacion adekuat, ku po mirëpret organizime të aktiviteteve të shumta e të mëdha ndërkombëtare sportive. Aktualisht Kosova me kryeqytetin Prishtina dhe me shtatë komuna të tjera është edhe shtet kandidat për organizmin e lojërave mesdhetare 2030, e cila padyshim se është një projekt që do të kërkojë mobilizim te të gjitha strukturave e sektorëve në mënyrë që të jemi të gatshëm të ofrojmë një organizim të suksesshëm në vitin 2030”, tha Osmani.
Se panairet e tilla janë mundësi e mirë për promovimin e turizmit e tha edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Kryetari i Komunitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi u shpreh i lumtur me organizimin e këtij panairi,
Krasniqi tha se organizmi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën kanë ndikim edhe me benifitet multidimensionale të cilat përveç atyre sportive kanë edhe efekte ekonomike duke pas parasysh fokusimin te turizmi që sporti ja sjell vendit tonë.
Një nga përfaqësueset e një hoteli në Komunën e Dragashit, Lena Piraj tha se ky panair është një shërbim shumë i mirë që të vetëdijesohen njerëzit që Komuna e Dragashit bënë shërbime të bukura, duke përfshire edhe Bjeshkët e Malit, traditat, vlerat që i ka trashëguar brez pas brezi.
E për t’i prezantuar më të rejat nga ofertat turistike të Ulqinit në këtë panair, është ardhur edhe drejtori i organizatës turistike i Ulqinit, Qazim Hoxha.
Qëllimi i këtij panairi vazhdon të jetë promovimi i turizmit vendor dhe rajonal duke shërbyer si udhëzues i pikave dhe atraksioneve turistike
Panairi do të jetë i hapur edhe të premten në sallën “1 Tetori” në kryeqytet.