Mashtrim me grant bujqësor në Ferizaj: kompani dënohet me gjobë, personi përgjegjës me dy vite burg
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Mashtrim me grant bujqësor në Ferizaj: kompani dënohet me gjobë, personi përgjegjës me dy vite burg
13/03/2026 - 18:02
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj personit juridik “E.D&C” SH.P.K dhe të pandehurit V.H., për veprën penale mashtrim.

Sipas njoftimit të gjykatës, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Mimoza Maloku Shabani, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave personale dhe materiale, ka gjetur fajtor personin juridik “E.D&C” SH.P.K për veprën penale mashtrim sipas nenit 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 37 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kompania është dënuar me gjobë në shumën prej 6 mijë euro, të cilën duhet ta paguajë brenda 30 ditëve pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Ndërkohë, i pandehuri V.H. është shpallur fajtor për veprën penale mashtrim sipas nenit 323 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës dhe është dënuar me dy vite burgim si dhe gjobë prej 2 mijë euro, dënime që do të ekzekutohen pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 15 maj 2019 në Ferizaj, kur i pandehuri V.H., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “E.D&C” SH.P.K, dyshohet se ka mashtruar të dëmtuarin R.H. duke i premtuar një grant bujqësor për blerjen e një traktori me vlerë rreth 25 mijë euro, kinse i financuar nga shtete të huaja.

Për këtë qëllim, i dëmtuari kishte paguar 4.280 euro në llogarinë e kompanisë dhe 800 euro shtesë për hartimin e planit të biznesit. Megjithatë, sipas gjykatës, pas pagesës i dëmtuari nuk ka marrë as grantin e premtuar dhe as kthimin e parave, duke pësuar dëm material rreth 5.080 euro.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit deri në formën e prerë të aktgjykimit, por jo më shumë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit me shkrim, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026