Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka pranuar një mesazh nga Jakup Krasniqi, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë. Sipas Sherifit, Krasniqi e ka ngarkuar atë të përcjellë një telegram ngushëllimi për vdekjen e akademikut Rexhep Qosja, në emër të bashkudhëtarëve të tij që po mbahen në paraburgim.
Në telegramin e adresuar familjarëve të akademikut dhe intelektualit të shquar, krerët e UCCK që aktualisht po gjykohen në Hagë kanë shprehur dhimbje të thellë për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosja, duke e cilësuar humbjen si të rëndë për familjen, por edhe për gjithë kombin shqiptar.
Nga paraburgimi në Hagë, krerët e UÇK-së kanë shprehur solidaritet me familjen në këto momente të vështira, duke theksuar se, pavarësisht mungesës së lirisë, ndajnë të njëjtën dhimbje dhe qëndrojnë pranë tyre.
“Edhe pse larg jush dhe të privuar nga liria prej vitesh, dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë. Nga muret e heshtura të Hagës, ju dërgojmë përqafimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë jush me zemër e shpirt!Urojmë që të gjeni forcë në kujtimet dhe në dashurinë që ai la pas!I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Bashkudhëtarët e z. Rexhep Qosja në rrugëtimin për realizimin e aspiratave tona të ligjshme kombëtare”, thuhet në telegram ngushëllimi.