Marta Kos: Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz, të vijojnë reformat
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Marta Kos: Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz, të vijojnë reformat
marta_sd-1
14/07/2026 - 20:43
Linku u kopjua

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos bëri të ditur mbylljen e tri kapitujve të parë në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, duke e cilësuar si moment të madh për vendin.

Në deklaratën e saj, Kos theksoi se kapitujt e mbyllur janë ata për arsimin, kërkimin shkencor dhe marrëdhëniet e jashtme.

“Sot mbyllëm siç dëgjuam tre kapitujt e parë me Shqipërinë. Është një moment i madh për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Është një super e martë për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë e saj. I mbyllëm kapitujt për kërkimin shkencor, për arsimin, kulturën dhe po kështu edhe marrëdhëniet e jashtme. Tre përfunduan, kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Këto janë fusha ku Shqipëria është tashmë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Kos.

Ajo u referua edhe te sukseset konkrete të bashkëpunimit, duke përmendur se mbi 50 mijë studentë shqiptarë kanë përfituar nga programi Erasmus Plus.

“Praktikisht Shqipëria ka qenë në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së për shumë vite tashmë. Universitetet shqiptare janë pjesë e rrjetit të kërkimit dhe inovacionit evropian. Vendet që marrin pjesë në Horizon Europe dhe më shumë se 50.000 studentë shqiptarë kanë marrë pjesë në Erasmus Plus që prej se programi nisi në 2014-n.

Përgëzime të gjithë miqve tanë shqiptarë për punën e tyre dhe për këtë arritje. Kjo u bë e mundur sepse Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për sundimin e ligjit muajin e kaluar. Piketat e ndërmjetme janë një portë hyrëse që çdo vend kandidat duhet ta kalojë përpara se të nisë të mbyllë kapitujt e negociatave“, deklaroi Kos.

Ajo theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë drejt objektivit të saj ambicioz për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027

“Por më lejoni të jem e qartë që ky është një hap i ndërmjetëm që do të thotë se reformat në këtë fushë duhet të vazhdojnë e të thellohen. Lidhja midis progresit në anëtarësim dhe përputhshmërisë me kapitujt thelbësore do të jetë parimi udhëzues. Ndërkohë që Shqipëria ecën përpara drejt objektivit të saj ambicioz për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027″, nënvizoi Kos.

Sipas një sondazhi të fundit të cituar nga Kos, mbështetja e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian mbetet shumë e lartë: 92% janë në favor të anëtarësimit, 94% besojnë se ai do të sjellë më shumë avantazhe, ndërsa 93% i besojnë Bashkimit Europian.

“Reformat kanë sukses nëse të gjithë ata që janë të prekur dëgjohen. Unë do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim!”, përfundoi Komisionerja Marta Kos.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026