Kur ka mbetur më pak se një javë nga takimi i radhës i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar rreth planit të Bashkimit Evropian për dialogun dhe udhërrëfyesin e zbatimit të tij, njohësit e ekonomisë konsiderojnë se implementimi i kësaj marrëveshjeje do të sillte përfitime ekonomike për vendin, ndërsa e kundërta do të ishte katastrofale.
Sipas tyre, normalizimi i marrëdhënieve do t’i hapte rrugë edhe ardhjes së shumë investitorëve të huaj të cilët e shohin si shumë të rëndësishme stabilitetin politik dhe sigurinë e një rajoni.
“Përfitimet ekonomike nga një marrëveshje potenciale që do të dakrodohen ndërmjet paleve duhet të shihen në disa rrafshe, duke filluar nga stabiliteti politik në vend, i cili në mënyrë direkte influeson edhe sigurinë e investitorëve, qoftë atyre që tashmë janë pjesë e tregut të ekonomisë tonë apo investitoreve potencialë të huaj që mund të vijnë dhe të sjellin kapitalin e tyre në vendin tonë. Anën tjetër mund të shihet si një lloj përfitimi direkt si rezultat i marrveshjës ku shtetet garantuese të impementimit të kësaj marrëveshjeje do të përfishijnë në garancën e tyre edhe investime të patjetërsueshme në të dyja vendet.”, ka thënë Avdiaj.
Njohësi i ekonomisë, Florin Aliu ka thënë për KosovaPress se implementimi i mundshëm i kësaj marrëveshjeje i hap rrugë edhe shumë projekteve të tjera me vendet e Bashkimit Evropian.
Edhe për njohësin tjetër të ekonomisë, Jakup Bellaqa, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do t’i jepte mundësinë vendit që të forcohej ekonomikisht pasi shteti fqinj nuk do të mund të bënte më pengesa si më parë.
“Në aspektin ekonomik e shoh si pozitive sepse me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe mos pengimin e institucioneve ndërkombëtare, Kosovës i hapen dyert në aspektin ekonomik, nga një treg vendor regjional shndërrohet në një treg evropian...”, ka thënë Bellaqa.