Jo vetëm që mjekët po largohen nga Maqedonia e Veriut dhe shkojnë për të punuar jashtë vendit, por disa spitale po përballen me mbylljen e reparteve të tëra për shkak të mungesës së stafit mjekësor.
Spitali klinik i Manastirit ka mbetur pa repart infektiv. Reparti i fëmijëve në Ohër funksionon vetëm si ambulancë e zakonshme pasi ka mbetur pa mjekë pediatër.
Mungesë të mjekëve ka edhe në spitalin e Strugës dhe Ohrit. Në Strugë nuk ka dermatolog. Mungojnë radiologë, ndërsa kanë mbetur vetëm dy mikrobiologë. Janë tre mjekë internistë. Nuk ka epidemiolog, as mjekë në mjekësinë e punës dhe atë sociale, ngjashëm edhe në spitalin e Ohrit.
“Nuk kemi mjek reumatolog dhe nuk kemi ku të drejtohemi. Në oftalmologji janë dy mjekë. Një kolege është në pushim të lindjes. Janë dy prej tyre, njëri prej të cilëve do të dalë në pension. Ka deficit në anesteziologji. Kanë mbetur vetëm dy. Në radiologji duhet të ketë më shumë pasi përdoren edhe kompjuterët, ka edhe punë me turne. Vetëm dy kolege janë në terapi fizike. Njëjtë te sytë, janë vetëm dy. Njëri është gati të dalë në pension. Kudo që kthehemi kemi mungesë të stafit”, tha Violeta Mickoska, mjeke nga Ohri.
Oda e Mjekëve nuk ka numër të saktë, por theksojnë se 232 mjekë amë janë mbi 60 vjeç, ndaj shteti mund të përballet me mungesë të personelit të tillë.
Shoqata e mjekëve shqiptarë për Alsat vitin e kaluar deklaroi në pesë vjetët e fundit më shumë se 300 mjekë shqiptarë kanë shkuar për të punuar jashtë vendit.