Qeveria e Maqedonisë Veriore gjatë javës së ardhshme duhet të vendosë nëse do të vazhdojë përllogaritja verore e kohës në vend, për të kursyer energjinë elektrike.
Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga meteorologjia dhe ASHAM-i të bëjnë studim që do të tregojë nëse kthimi i akrepave të orës këtë dimër mund të ndikojë negativisht në konsumin e energjisë elektrike te amvisëritë dhe kompanitë.
“Jemi në konsultim me ekspertët, institucionet kompetente dhe sektorin e biznesit se si do të ndikonte dhe cilat do të ishin efektet e ndryshimit të llogaritjes kohore”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Jo vetëm për kursimin e energjisë elektrike, përllogaritja e kohës verore dhe dimërore kanë ndikim edhe në disa biznese.
Biznesmenët e konsultuar nga Alsat thonë se më e rëndësishmja për komunikimin e përgjithshëm është që vendi të jetë në përputhje me kohën në Evropë.
“Në vitin 2019, Komisioni Evropian publikoi rekomandim për shtetet se ky duhet të jetë viti i fundit kur llogaritet koha verore dhe dimërore. Autoritetet në vend ende nuk e kanë zbatuar këtë rekomandim.”