Ndonëse dy herë radhazi dështoi seanca konstituive, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaron se i kanë numrat për formimin e institucioneve të Kosovës.
Në një deklaratë për KosovaPress, Maqedonci e vlerëson qasjen e opozitës si goditje ndaj demokracisë.
"Patjetër që numrat i kemi. Ne jemi të vetëdijshëm të gjithë që Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese dhe nuk është fituese dosido...Opozita duke e parë këtë rrezik për ta e pengoi që dy seanca radhazi konstituimin e Kuvendit që është një goditje ndaj demokracisë...", deklaron Maqedoni për KosovaPress.
Ndërkaq, lidhur me atë nëse LVV-ja ka arritur marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, Maqedonci thotë se një gjë e tillë do të bëhet e ditur nesër, shkruan KosovaPress.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë insistojnë që anëtarët e qeverisë në detyrë të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë.
Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo nuk është e nevojshme meqë sipas tij, qeveria është në detyrë që prej marsit – periudhës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas rregullores së Kuvendit, deputetët duhet të mblidhen çdo 48 orë.
Të enjten më 17 prill, deputetët e zgjedhur dështuan për herë të dytë të konstituojnë organin legjislativ.
PDK, LDK dhe AAK kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e seancës, që sipas tyre po bëhet për “pazare politike”.
Betimi i deputetëve do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit dhe më pas qeverisë së re.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...