Drejtori i përgjithshëm i Klubit të Basketbollit Prishtina, Luan Maloku, tha se klubi nuk është në rrezik shuarjeje, pavarësisht nga situata e rëndë financiare, në të cilën ndodhet aktualisht.
Në një konferencë për media, Maloku pranoi se KB Prishtina është i zhytur thellë në borxhe, të trashëguara nga ish-kryesia e klubit. Sipas tij, vetëm brenda një muaji janë krijuar obligime në vlerë rreth 700 mijë euro, duke e rënduar ndjeshëm gjendjen financiare të klubit.
Maloku zbuloi gjithashtu se ekziston një overdraft prej rreth 50 mijë eurosh, ndërsa ndaj klubit janë hapur edhe shumë lëndë të tjera përmbarimore, të cilat po e vështirësojnë funksionimin normal.
Megjithatë, drejtori i përgjithshëm theksoi se KB Prishtina nuk do të shuhet, duke garantuar se drejtuesit aktualë janë të përkushtuar për të stabilizuar gjendjen financiare dhe për ta rikthyer klubin në rrugën e suksesit sportiv dhe institucional.