Samiti BE-Ballkani Perëndimor sot mbahet në Tivat, Haxhiu e përfaqëson Kosovën
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Samiti BE-Ballkani Perëndimor sot mbahet në Tivat, Haxhiu e përfaqëson Kosovën
Albulena Haxhiu13
05/06/2026 - 09:04
Linku u kopjua

Në Tivat të Malit të Zi sot do të mbahet Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor. Edhe Kosova do të jetë e pranishme në këtë samit, dhe do të përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se do të kërkojë trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, raporton KosovaPress.

Në një njoftim të Presidencës është treguar qëndrimi që do të shprehë Haxhiu në samit.

“Në këtë samit, u.d. presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Para mbajtjes së Samitit, shtetet e Ballkanit Perëndimor i ka vizituar presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Ai gjatë të mërkurës qëndroi në Kosovë.

Në Samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor diskutohet për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

Para nisjes së samitit pati tensione mes Malit të Zi e Serbisë, pasi autoritetet malazeze për shkaqe sigurie  nuk ua kanë lejuar hyrjen në këtë shtet 87 serbëve me precedentë penalë e histori dhune në protestat në Serbi. Kundër reagimi i Serbisë ishte i menjëhershëm duke arrestuar 30 shtetas malazezë në aeroportin e Beogradit dhe ua ka pamundësuar hyrjen shumë të tjerëve përmes pikave kufitare rrugore.

Derisa për shkaqe shëndetësore në Samit nuk do të marr pjesë përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas  të pranishëm do të jenë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026