Personat me aftësi të kufizuara janë grupi më i margjinalizuar, rrezikuar dhe i varfër në Kosovë. Kështu shprehet drejtori i Shoqatës së paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS), Afrim Maliqi. Sipas tij, kjo kategori e personave nuk janë të përfshirë në shërbime shëndetësore, arsim e as punësim. Në intervistën për KosovaPress, ai thotë se vetëm 12 mijë persona marrin mbështetje financiare krahasuar me 93 mijë sa janë në Kosovë.
Në shoqatën për personat me aftësi të kufizuara, HANDIKOS, konsiderojnë se shteti ka për detyrojë të ofrojë shërbime për personat e kësaj kategorie.
Më tej, ai numëron nevojat kryesore të këtij grupi shoqëror, për të cilët thotë se janë më të varfrit në Kosovë.
“Personat me aftësi të kufizuara vlerësohen si grupi më i margjinalizuar, më i rrezikuar dhe më i varfër në mesin e popullatës tonë. Arsyet janë të shumta, gjendja e tyre shëndetësore jo e mirë, për të cilat shërbime shëndetësore të duhura, ata duhet t’i paguajnë dhe t’i blejnë, e ato shërbime janë të përditshme apo medikamente apo pajisje janë të përditshme. Nuk po flas për një herë në vit apo një herë në muaj, por për shërbime shëndetësore, medikamente të përditshme. E që dihet që në vendin tonë ende mungon Ligji për Sigurime Shëndetësore, e që kjo një ndër tjera e varfëron familjen. Çështja tjetër ka të bëjë me kujdestarët apo asistentët personal të personave me aftësi të kufizuara”, tha Maliqi.“Vlerësohet sipas UNICEF-it, i cili ka në fokus gjithmonë fëmijët se vetëm 12 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në sistemin arsimor. Kjo tregon se ku është Kosova. 88 për qind janë jashtë sistemit arsimor. Arsyet janë shëndeti jo i mirë i fëmijëve, mbështetja ekonomike e fëmijëve, asistentja apo kujdestari, transporti i pa përshtatshëm, shkollat ndodhë që janë të përshtatshme. Këto e përbëjnë atë çështjet kryesore apo një zinxhir se pse familjet nuk mund t’i përfshijnë fëmijët me aftësi të kufizuara”, shton ai.
Shërbimet për personat me aftësi të kufizuara, shton Maliqi, se duhet të institucionalizohen. Ai kërkon që kjo kategori të ketë rehabilitim së paku një herë në vit, sikurse ndodh në vendet e rajonit.
“Jemi në procesin e finalizimit të strategjisë dhe planit të veprimit, e cila duhet të aprovohet nga Qeveria e Kosovës, strategji pesë-vjeçare e cila ka të bëjë me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Dhe është duke u vonuar procesi i finalizimit të saj dhe aprovimit të saj, veç gjysma e vitit shkoi. Kjo është ndër dokumentet strategjike që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në fusha të ndryshme, ku aty është fusha e mirëqenies, fusha e përmirësimit të legjislacionit, fusha e infrastrukturës, shërbimeve sociale dhe shumë fusha të tjera”, përfundoi Maliqi.