Në një shfaqje të besimit në financat e tij, Mali i Zi ka vendosur t’i japë fund një marrëveshjeje me bankat perëndimore, që e mbronin shtetin nga rritja e borxhit për një kredi kundërthënëse kineze prej gati 1 miliard dollarësh për ndërtimin e një autostrade.
Ky është vendimi i fundit në sagën e autostradës kontroverse Bar-Bolare në Mal të Zi – që është ndërtuar nga Korporata Rruga dhe Ura e Kinës [CRBC] dhe është financuar nga Banka Eksport-Import e Kinës me një kredi të madhe – që ka krijuar një rrezik afatgjatë ekonomik, duke e ngarkuar shtetin me borxhe ndaj Pekinin, që dikur arritën vlerën e më shumë se një të tretës së buxhetit të këtij shteti.
Me largimin nga kjo marrëveshje, që e konvertoi borxhin e saj në bankën kineze nga dollari në euro, ministria tha më 14 qershor se ajo fitoi “afërsisht 64 milionë dollarë”, për shkak të rritjes së vlerës së dollarit kohëve të fundit. Ky institucion tha se do të përdorë këto para për të ndihmuar në pagesën e ardhshme të borxhit ndaj Kinës, që duhet të bëhet në janar.
Ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, pas këtij njoftimi tha për Radio Mali i Zi se për shkak të pasigurisë në rritje në tregjet botërore, ishte shumë e rrezikshme që shteti të vazhdonte të qëndronte në këtë marrëveshje.
Ndërtimi i autostradës është përballur me vonesa, me kosto në rritje, shqetësime mjedisore, me kritika mbi praktikat e dyshimta të huadhënies kineze dhe me korrupsionin lokal.
Sipas planit origjinal të nënshkruar më 2014, 41 kilometra – që u hapën për qarkullim në korrik të vitit 2022 – do të ishin pjesë e autostradës prej 163 kilometrash që do të lidhë bregdetin në Adriatik të Malit të Zi me Serbinë fqinje. Projekti synonte të transformonte shtetin në një qendër transporti për rajonin më të gjerë dhe të forconte aktivitetin ekonomik. Por, ende ka pyetje nëse 122 kilometrat e mbetura të autostradës do të përfundojnë.
Në korrik të vitit 2021 u arrit marrëveshja – me ndihmën e BE-së – midis Malit të Zi dhe katër institucioneve financiare perëndimore: Goldman Sachs, Merrill Lynch, Societe Generale dhe Deutsche Bank.
Marrëveshja 14-vjeçare, e cila përfshinte edhe një klauzolë të ndërprerjes së akordit pas dy vjetësh, u dizajnua për të mbrojtur shtetin nga luhatja e kursit të këmbimit euro-dollar, që ndikoi drejtpërdrejt në shumën e borxhit.
Pse Mali i Zi po heq dorë nga marrëveshja?
Marrëveshja me institucionet financiare perëndimore u arrit para se Mali i Zi të paguante këstin e parë, prandaj Podgorica i pagoi katër këstet e saj të para, në vlerë prej 158 milionë dollarësh, me euro, me një normë më të ulët interesi, tha Ministria e Financave.
Derisa Qeveria e Malit të Zi e ka justifikuar vendimin e saj si të nevojshëm duke pasur parasysh parashikimet e zymta për tregun e eurozonës, që hyri në recesion në tremujorin e parë të këtij viti, jo të gjithë brenda këtij shteti e kanë pranuar këtë shpjegim zyrtar.
Millojko Spanjiq, që ishte ministër i Financave në kohën kur u arrit marrëveshja me institucionet perëndimore, tha se beson se Qeveria u largua nga marrëveshja sepse po i mbarojnë financat shtetërore dhe asaj i duheshin 64 milionë dollarë, që i fitoi nga largimi nga marrëveshja, që të mund të bëjë pagesën e këstit të ardhshëm të borxhit.
Ky pretendim i Spajiqit është vështirë të verifikohet. Por, një analizë e kryer nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë e buxhetit të Ministrisë së Financave në katër muajt e fundit shfaqi të ardhura më të larta sesa ishin planifikuar, teksa shpenzimet ishin të vogla. Sezoni i verës, ku pritet të ketë numër të lartë të turistëve në Mal të Zi, mund të rrisë edhe më shumë të ardhurat e shtetit.
Mirza Mulleskoviq, analist i ekonomisë dhe themelues i firmës konsulente me seli në Podgoricë, Inteligencija MNE, tha se është e vështirë të thuhet se si do të ndikojë për shtetin heqja dorë nga marrëveshja. Ai shtoi se është e vështirë të parashikohen ndryshimet në treg për shkak të ngjarjeve botërore.
Çfarë do të ndodhë me autostradën?
E ardhmja e dy seksioneve të mbetura të autostradës është e paqartë, por pasojat nga projekti ende nuk janë ndierë në mbarë vendin.
Projekti është përballur edhe me kritika të vazhdueshme nga Rrjeti për Afirmimin Sektorit Joqeveritar (MANS), organizatë ballkanike. Ky rrjet ka ngritur shqetësime lidhur me korrupsionin dhe transparencën mbi mënyrën se si janë shpërndarë kontratat e ndërtimit te kompanitë kineze dhe ato vendase. Organizata ka ngritur kallëzim penal ndaj CRBC-së për dëmtim mjedisor në shtratin e lumit Tara. Megjithatë, ky kallëzim është hedhur poshtë.
Pavarësisht trazirave politike që ka sjellë kjo autostradë, kompanitë kineze dhe huadhënësit kinezë ende kanë hapësirë për bashkëpunim në Mal të Zi.