Presidenti i Francës Emmanuel Macron shënoi sot në Paris 77-vjetorin e fitores së aleatëve ndaj Gjermanisë naziste, në një ceremoni të veçantë këtë vit në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe përpara paradës tradicionale ushtarake në Moskë në Ditën e Fitores.
Me këtë përkujtim, kreu i shtetit francez fillon një sërë takimesh ndërkombëtare, ai do të flasë sot përmes video-konferencës me liderët e G7 për situatën në Ukrainë, do të shkojë në Strasburg të hënën në Ditën e Evropës dhe gjithashtu në Berlin për t'u takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Macron, i cili kohët e fundit mori mandatin e tij të dytë, vendosi një kurorë me lule përpara statujës së gjeneralit Charles De Gaulle në fund të Champs Elysees.
Macron shkëmbeu disa fjalë me nipin e gjeneralit De Gaulle, liderit të Francës së Lirë gjatë Luftës së Dytë Botërore, para se të arrinte sërish me makinë në Harkun e Triumfit, i shoqëruar nga Garda e Republikës dhe përshëndetjet e disa kalimtarëve.
E pyetur për kontekstin shumë të veçantë në të cilin po zhvillohet ceremonia e këtij viti, ministrja e Kulturës Roselyno Bachelot u tha gazetarëve se ky ishte një moment që "fitoi një rëndësi të madhe" me luftën në Ukrainë.
Rusia feston nesër Ditën e Fitores mbi Gjermaninë naziste, e cila do të jetë një mundësi për të demonstruar forcën ushtarake në mes të luftës në Ukrainë.