Në një atmosferë dhimbjeje dhe pikëllimi, Komuna e Deçanit ka mbajtur sot mbledhje komemorative në kujtim të drejtorit të Bujqësisë, Rifat Stoçkaj, i cili u nda nga jeta në moshën 35-vjeçare nga një vetaksident në fshatin Lloqan të Deçanit, raporton KosovaPress.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se largimi i Rifatit është humbje e madhe për komunën dhe për secilin që pati fatin ta njohë nga afër.
“Ka me na mungua përgjithmonë Rifat Stojkaj si profesionist me përvojë, udhëheqës i përgjegjshëm e njeri i afërt me qytetarët. Ka me na mungua po ashtu drejtor i bujqësisë me punën dhe përkushtimin e tij. Ka me na mungua përkushtimi i kujdesja e tij e veçantë ndaj bujqve dhe fermerëve, ndaj kolegëve që ka punuar me ta. E ne ka me na mungua edhe njeriu që ka ditë me marrë vendime të drejta, që ka ditë me krijua bashkëpunëtor e bashkëpunim, që ka ditë me çuar përpara zhvillimin e këtij shteti. Të gjithë neve përtej pozicionit e përtej pozitës udhëheqëse, ka me na mungua Rifati si një qytetar i përkushtuar edhe për familjen, edhe për shoqërinë, edhe për prindërit, edhe për motrat, edhe për bashkëshorten, edhe për djalin e vogël. Do na mungojë njeriu që ishte përfaqësues i punëve dhe i veprave e jo një njeri i premtimeve boshe”, tha ai.
“Janë 15 vjet që e kam njohur dhe qysh në ditët e para, siç thonë në gjuhën popullore, ma ka marrë zemrën. Qysh me angazhimin e tij, aktivitetin e tij, e mori zemrën çdo herë që garonte e dyfishonte besimin. Kjo i bie që kishte vlera të pakrahasueshme njerëzore. Jo vetëm me përgjegjësinë që e ka mbajtur si drejtor po si njeri, domethënë energjia e tij ka qenë shërbim i të secilit dhe secilës në rajonin tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të. Ju si familje lumet ju për atë djalë që e keni rritë e keni zhvillu e shpresoj që edhe ky brez që e kemi mbrapa, edhe brezi i ri në ardhje ka me i ndjek rrugën e tij, shembullin e tij të përkushtimit ndaj zhvillimit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Me emocione të forta në emër të familjes dhe shoqërisë së Ridatit, foli edhe bashkëpunëtori dhe miku i tij, Kastriot Timaj. Ai tha se fjalët për Rifatin gjithmonë i kishte thënë nga zemra, por se sot po fliste me “zemër të thyer”.
Një bashkëpunëtor tjetër i tij, Bekim Vishaj, me dhimbje e përshkroi Stojkajn si djalë të edukuar, të ditur dhe profesionist me vlera të larta njerëzore e profesionale.
“Ai donte dhe i ofronte të tjetër, çmonte, vlerësonte, respektonte të gjithë ata që e rrethonin. I ri, por me shpirt atdhetar, nderonte dhe çmonte historinë dhe vlerat kombëtare, luftën e lavdishme dhe dëshmorët e UÇK-së. E deshi zhvillimin e vendit më shumë sesa veten. Iku shumë herët nga kjo botë, një djalë i ri, me plot ëndrra, plane dhe energji për të ardhmen. Familja humbi shtyllën dhe dritën e shtëpisë, Lloçani dhe Treva e Vokshit humbën djalin më të mirë, shokët e jetës, fëmijërisë, shkollës dhe studimeve humbën një shok të pazëvendsueshëm, e kolegët e punës humbën një bashkëpunëtor të çmuar”, tha ai.
Sipas Vishajt, Deçani dhe Kosova humbën një profesionist që premtonte shumë për të ardhmen duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët e Deçanit.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 17:00 më varrezat e fshatit Lloqan në Komunën e Deçanit.
Ndërkaq Rifat Stojkaj, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Deçanit vdiq të dielën në një aksident në fshatin Lloqan të Komunës së Deçanit.