Irani ka marrë një përgjigje nga SHBA-të ndaj propozimit të tij të fundit për paqe, thanë mediat iraniane të lidhura me shtetin.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit tha se përgjigjja - e cila u dërgua nëpërmjet Pakistanit - tani po shqyrtohet, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.
Media shtetërore iraniane tha se plani 14-pikësh i Teheranit i kërkonte Uashingtonit të tërhiqte forcat e tij nga afërsia e kufijve të Iranit, t'i jepte fund bllokadës detare të porteve iraniane dhe të ndërprisnin të gjitha armiqësitë - përfshirë ofensivën e Izraelit në Liban, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Duke iu referuar propozimit, Trump shkroi në një postim në Truth Social të shtunën vonë: "Ata ende nuk kanë paguar një çmim mjaftueshëm të madh për atë që i kanë bërë Njerëzimit dhe Botës gjatë 47 viteve të fundit".
Duke folur me gazetarët të njëjtën ditë në Palm Beach, Florida, ai tha se ende nuk e kishte shqyrtuar planin në detaje.
"Nëse sillen keq. Nëse bëjnë diçka të keqe," tha ai. "Por tani për tani do ta shohim."
Agjencitë shtetërore iraniane thanë se propozimi i fundit i Teheranit ishte në përgjigje të një plani nëntëpikësh të SHBA-së, i cili parashikonte një armëpushim dy-mujor.
Të premten, Trump u drejtoi një letër anëtarëve të Kongresit Amerikan, duke thënë se konflikti ishte “përfunduar” që kur një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill - edhe pse Irani ende përbënte një kërcënim “të rëndësishëm” për SHBA-në dhe forcat e saj ushtarake të vendosura në rajon.
Sulmet e para SHBA-Izrael ndaj Iranit nisën më 28 shkurt të këtij viti.