LVV propozon shmangien nga procedurat për votim të Byrosë, opozita e konsideron propagandë elektorale
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
LVV propozon shmangien nga procedurat për votim të Byrosë, opozita e konsideron propagandë elektorale
Kuvendi bajrmai1234
Foto Ilustruese
17/04/2026 - 16:03
Linku u kopjua

Pas miratimit në lexim të parë, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar përmes një mocioni procedural që të shmangen afatet për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Partitë opozitare kanë reaguar pas kësaj kërkese të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, duke thënë se po bëhet propagandë elektorale.

Ky propozim nuk ka kaluar, meqë ka marrë mbështetjen e opozitës.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci përmes një mocioni procedural ka kërkuar shmangie të afateve të përcaktuara për votimin e projektligjit në shqyrtim të dytë.

“Propozoj për shkurtimin e afateve kohore, pra të paraqes mocionin procedural për shmangie nga afatet e përcaktuara në nenin 76 të rregullores së kuvendit, saktësisht propozoj që amendamentet për  Projektligjin nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme t’i adresohen komisionit funksional deri më datën 21.03,2026. Ndërkohë, që komisioni funksional deri me datën 22.04.2026 të shqyrtojë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe raportin me rekomandime të ju paraqes komisioneve të përhershme. Komisioni deri më 23.04 të shqyrtojë projektligjin dhe raportet me rekomandime të ja paraqesin komisionet funksional, ndërkohë që komisioni funksional deri më datën 24.04.2026 të paraqes raportin me rekomandime për projektligjin për shqyrtim të dytë në seancë plenare. Propozojmë që shqyrtimi i dytë dhe përfundimtar i projektligjit të bëhet në seancën e datës 27.04.2026 e cila propozojmë të fillojë në orën 10:00 ”, ka thënë ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda tha se “shantazhin moral nuk e hajmë”.

“Nuk e kuptoj Nagavci a ishit ju në sallë në debatin për këtë ligj. Ju kërkoni që amendamentet të paraqiten për tre ditë, ndërkohë që ne kishim një diskutim me ministren që pajtohet që të ketë konsultim publik dhe të formojmë një grup punues i cili adreson ato që dalin nga konsultimi publik dhe ato që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si mund ta bëjmë këtë për tre ditë? Unë po e kuptoj agjendën politike, naiv nuk jemi e kuptojmë cila është agjenda. Përndryshe shantazhin moral ne si PDK nuk e hajmë, këtë ligj nuk e votojmë edhe nëse ligji nuk përmirësohet prapë nuk votohet”, tha Gruda.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili ka reaguar duke thënë se një kërkesë e tillë është për propagandë elektorale.

“Sikur ta dija, e përmbylla fjalimin me atë që sot determinohet qëllimi real i Lëvizjes Vetëvendosje me këtë projektligj. Dhe me shmangie duhet që qëllimi janë zgjedhjet. Përndryshe nuk kam si ta arsyetojë që një ligj kaq vital që vet po thoni që është vital të ketë nevojë për shmangie. Sot edhe ministrja edhe ju thatë që jemi të hapur për diskutime. Për të cilat diskutime? Kur të hyrë ligji në fuqi? Mos bëni hajgare, të paktën dilni pranone që e paskeni sjell këtë projektligj për zgjedhjke, për propagandë elektorale. Përndryshe, mos bëni hajgare për besë me popullin. Tregoni sinqerisht cili ishte qëllimi. Megjithëse, mendoj që u bë e dukshme. Por, tash sinqerisht prapë e pyes ministren sepse tha jemi të gatshëm. Tani a s’po dëgjojnë ministre Grupi Parlamentar, konsideron që nuk ki autoritet mbi projektligjet që i sjell”, u shpreh ajo.

As shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se nuk e mbështesin shmangien nga procedurat.


“Ne normal që nuk e mbështesim shmangien për shkak se para tre seancave kemi qenë bukur decidiv që shmangiet e një procesi të ndërtimit të ligjbërjes duhet të jenë serioz. E pakuptueshme, është totalisht e paqëndrueshme që me ardh në një situatë prej një diskutimi bukur serioz, profesional, tash me hy në shmangie, jo bre nuk bën kështu”.,

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se ligji është në rregull.

“Mua më keni në dispozicion edhe gjatë fundjavës edhe dy ditët e javës. Më shumë se një ditë nuk na zgjasin, e shoh mundësinë që këtë ligj shumë të rëndësishëm ta diskutojmë, ta debatojmë të heqim dilemat. Për mendimin tim ligji është në rregull, por nëse opozita ka dilema jam plotësisht e gatshme t’u përgjigjem në secilën pyetje dhe vërejtje. Kohën e vëmë në dispozicion e kemi të mjaftueshme”, tha ajo.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026