Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka prezantuar kandidaturën e Feride Rushitit për presidente të vendit.
Ajo në seancën e jashtëzakonshme për Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, tha se Rushiti është një mjeke dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.
“Veprimtaria e saj është shtrirë edhe në nivel ndërkombëtar, ku ka përfaqësuar Kosovën dhe cështjen e viktimave të luftës në konferenca e forume në Nju Jork, Londër, Hagë, Luksemburg dhe vende të rajonit duke promovuar drejtësinë tranzicionale, të drejtat e njeriut dhe reparacionet për viktimat... Në vitin 2025 ajo u nominua edhe për Çmimin Nobel për Paqe si vlerësim për dekada të tëra pune në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, drejtësisë për viktimat dhe ndërtimit të paqes së qëndrueshme”, ka shtuar ajo.
Deputeti i Vetëvendosjes, Luan Aliu ka prezantuar kandidaten e dytë për presidente të Kosovës, Hatixhe Hoxhën.
“Duke u bazuar në përvojën e gjatë profesionale dhe angazhimin e dëshmuar publik propozojmë kandidimin e Hatixhe Hoxha për presidente të Kosovës. Hoxha ligjëruese në universitetin e Prishtinës dhe me përvojë si deputete e Kuvendit në legjislaturën e vitit 2001-2004 dhe 2004-2007. Nga viti 2013 deri 2017 ka qenë e angazhuar si këshilltare në kuvendin komunal të Prishtinës. Bashkëthemeluese e shoqatës së “Autizmit”, anëtare e Forumit Kosovare të aftësisë së kufizuar dhe tani kryesuese e këtij këshilli. Një figurë me integritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj interesit publik. Kontributi i saj në periudhat të ndërtimit të institucioneve të vendit si dhe angazhimi i vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve e bëjnë atë një kandidate të denjët në këtë detyrë dhe këtë pozicion shtetëror”, tha ai.