Kosova po përcjell me vëmendje të madhe zgjedhjet e sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtimi i politikës amerikane konsiderohet se do të ketë ndikim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Njohësit politikë në Kosovë ofrojnë perspektiva të ndryshme mbi atë se kush është kandidati më i favorshëm për Kosovën. Në garë të ngushtë për president të 47-të të ShBA-së janë kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan, Donald Trump.
Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress se për Kosovën kandidatja Kamala Harris është më e favorshme për presidente të ShBA-së.
Ai vë në pah rrezikun që nën administratën Trump të rikthehet ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, diplomati, Blerim Canaj, nuk pret ndryshim të politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës, pavarësisht ardhjes në pushtet të Donald Trump apo fitores së Kamala Harris.Qytetarët amerikanë janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar.
Zgjedhjet e sotme presidenciale në ShBA i komentoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.