LVV do e dërgojë në Kushtetuese dekretin e presidentes, e konsiderojnë arbitrar dhe antikushtetues
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
LVV do e dërgojë në Kushtetuese dekretin e presidentes, e konsiderojnë arbitrar dhe antikushtetues
Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur arbitrar e kundërkushtetues vendimin e presidentes Vjosa Osmani që të shpërndajë kuvendin. Kjo parti ka paralajmëruar që do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim dekretin e Osmanit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se vendimi i Osmanit është një akt i paprecedent dhe jokushtetues.
“Jemi dëshmitarë që shpërndarja e kuvendit sot paraqet një akt të paprecedentë, i cili bjen ndesh me rendin kushtetues dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsyeje se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes. Sot në orën 14:00 ka qenë e ftuar një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë rreth 100 milionë euro projekte në interes të qytetarëve. Ndër të tjera, ratifikimi i marrëveshjes së kredisë, projekti i rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë, marrëveshja e kredisë për investime për projektin energjia diellore fotogaltike në KEK, marrëveshja për rindërtim dhe zhvillim për projektin impianti për ujërat e zeza në Podujevë, marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike”, deklaroi Nagavci.
Sipas shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë çmos për të zgjedhur presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet, teksa shtoi se kanë qenë të vetëdijshëm “që ka shumë palë e grupe të interesit të cilave u ka penguar mbështetja e madhe qytetare për LVV-në”.
“LVV përmes kryetarit të saj, kryeministrit të Republikës ka zhvilluar disa takime me radhazi me secilin prej kryetarëve të dy subjekteve më të mëdha opozitare, të PDK-së dhe LDK-së. Komunikimet kanë vazhduar pa ndërprerje. Ne kemi konsideruar se rezultati zgjedhor ishte i qartë dhe se nuk ishte e as sot nuk ka asnjë arsyeje që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. PDK insistonte se posti i presidentit u takon atyre, ndonëse kishin vetëm 22 vota në kuvend. Kur u pyetën për emrin e kandidatit, kanë refuzuar që ta bëjnë publik, duke kërkuar një nënshkrim bllanko për një emër të cilin do ta vendosnin më vonë. Nga ana tjetër, edhe PDK edhe LDK kanë refuzuar të propozojnë një emër të tyre edhe pse LVV u ka ofruar të dyjave nënshkrimet e mjaftueshme për kandidim. Edhe presidentja Osmani nuk i pranoi nënshkrimet e LVV-së, duke kërkuar që kandidatura e saj të ndodhte vetëm me garantim të rezultatit dhe votave të të gjithë deputetëve tanë”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se opozita nuk pranoi as opsionin e ndryshimeve kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së presidentit nga populli.
Në konferencë për media, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi konsideroi se vendimi i presidentes për shpërndarje të kuvendit, është në kundërshtim me Kushtetutën. Ai tha se janë dy raste kur Kushtetuta parasheh shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Veprimi i sotëm për të shpërndarë kuvendin, legjislaturën e dhjetë është qartazi në kundërshtim me Kushtetutën, është një vendim arbitrar që bie ndesh me bazën juridike, kushtetuese dhe që natyrisht cenon funksionimin kushtetues të institucioneve. Kushtetua e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë boshllëk kushtetues për sa i përket rrethanave të shpërndarjes së kuvendit. Në kontekstin aktual, sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentet të Republikës, Kushtetuta e Kosovës parasheh dy momente të shpërndarjes së kuvendit dhe natyrisht shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Momenti i parë është sipas nenit 86, paragrafi 6, kur pas nisjes së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës, edhe në raundin e tretë me pjesëmarrjen në kuorum dështon zgjedhja e presidentit qoftë edhe me 61 vota për, në momentin që nuk është në situatën aktuale dhe rrethana e dytë kushtetuese është që pas fillimit të procedurës brenda 60 ditëve, Kuvendi i Kosovës nuk arrin të zgjedh një president pavarësisht epilogut”, tha ai.
Ai tha se “është për të ardhur keq” se si presidentja Osmani ndërmerr një veprim të tillë.
“Është për të ardhur keq, pa asnjë dyshim që presidentja e Republikës që është garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve ndërmerr një veprim të tillë arbitrar në kundërshtim me Kushtetutën në ditën e parë të afatit 60 ditor për të shpërndarë kuvendin, ndërkohë që e ka përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin kushtetues të secilit institucion”, u shpreh ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç tha ajo, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Në mungesë kuorumi, mbrëmë kuvendi ka dështuar të procedojë me votimin e presidentit, ku të propozuarit ishin Glauk Konjufca e Fatmire Kollçaku Mulhaxha. /Sh.Pajaziti
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.