Irani ka rënë dakord të “lehtësojë dhe përshpejtojë” ndihmën humanitare përmes Ngushticës së Hormuzit, tha të premten ambasadori i Teheranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini.
Kjo sipas tij, u bë pas kërkesës se OKB-së për të lejuar kalimin e sigurt të ndihmës humanitare dhe dërgesave bujqësore përmes kësaj rruge ujore më rëndësi kritike.
OKB-ja më herët njoftoi krijimin e një task-force për të trajtuar efektet zinxhirë të luftës në Iran.
Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi mediat shtetërore iraniane thanë se dy objekte bërthamore kishin qenë caqe të sulmeve izraelite, të premten, në të cilat, siç raportohet, nuk pati viktima në njerëz e as rrezik ndotjeje.Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike paralajmëroi se Irani do të kundërpërgjigjet për sulmet, raportoi agjencia e lajmeve nga Teherani, IRNA. Seyed Majid Moosavi, komandant i Forcës Ajrore-Hapësinore të IRGC-së, shkroi në X se punonjësit e kompanive të lidhura me SHBA-në dhe Izraelin duhet të largohen nga vendet e tyre të punës.
“Na keni provuar edhe më parë; bota ka parë sërish se ju vetë nisët të luanit me zjarrin dhe të sulmonit infrastrukturën,” tha ai. “Këtë herë, ekuacioni nuk do të jetë më ‘sy për sy’, thjesht prisni”.