Nga janari deri në korrik të këtij viti janë pasivizuar 174 adresa në Komunën e Preshevës, ndërsa 26 në Bujanoc, tha Nevzad Luftiu nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
“E frikshme, po shuhemi”, shkroi ai në Facebook.
“Më datë 04.08.2025, i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, shkroi Lutfiu ndërsa shtoi se është në pritje edhe të një përgjigjeje tjetër për të verifikuar të dhënat për Bujanocin.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen “për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”.
Fshirja e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar nënkupton pasivizim. Në këtë mënyrë, humb e drejta për të votuar, për të pasur pronë, pension apo për t’u punësuar.
Shqiptarët të cilët jetojnë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – ka kohë që ankohen për pasivizim të adresave.