Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të bashkëakuzuarit Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari, në gjykatën themelore të Prishtinës, po presin për fjalët përfundimtare, në rastin ku akuzohen për krim të organizuar dhe frikësim të dëshmitarëve të mbrojtur në rastin “Drenica 1”, raporton KosovaPress.
Gjykimi në këtë rast po vazhdon për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit, për të cilët procedura ishte veçuar.
“Dalëngadalë erdhëm deri te përfundimi i kësaj çështjeje gjyqësore të stërzgjatur, e cila aktakuzë ishte ngritur nga ish-prokurorët e EULEX-it, mirëpo për shkak të disa veprimeve, gabimeve teknike procedurale, ishte kjo arsyeja pse gjykata dhe prokuroria patën vonesë në zgjidhjen e kësaj çështjeje penale”, tha Shamolli.
Ajo shtoi se, meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, Prokuroria ka propozuar administrimin e provave materiale dhe dëgjimin e dëshmitarëve, “të cilët e vërtetojnë se këta të akuzuar kanë kryer vepra penale për të cilën ngarkohen sipas Prokurorisë”, u shpreh ajo.“Ajo që ne kuptuam është se Prokuroria po kërkon nga trupi gjykues që t’i besohet një dëshmitari i cili paska dhënë një deklaratë në fazën e hetimeve, e paska ndryshuar atë deklaratë, paska kërku mjete financiare për me ndryshu deklaratën dhe këtu kur ka ardhur në këtë sallë gjykimi ka ndryshuar në mënyrë kontraverse. Në fjalën time përfundimtare do të fokusohem te çështja e paraburgimit dhe fakti se si ka mundësi të pretendohet se dikush që ka qenë në paraburgim paska pasur mundësi që ta organizojë një grup për me ndiku në dëshmitarë. Duke qenë se rregullat janë shumë të rrepta dhe paraburgimi vazhdimisht është monitoruar nga EULEX”, tha Qerkini.
Ndërsa Lushtaku i kundërshtoi provat e prokurores Florje Shamolli, duke thënë se ndihet i pafajshëëm.