Një luftë e re në tetor. Mbi 1.000 njerëz të vrarë në dy ditë, të plagosur, pengje e shkatërrime gjithandej.
“Sulmi më i keq kundër Izraelit që nga Lufta Yom Kipur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke iu referuar luftës arabo-izraelite të vitit 1973, e njohur po ashtu si Lufta e Tetorit, shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Mijëra raketa u hodhën në lagje të banueshme, luftëtarët hynë brenda komuniteteve, vranë banorë dhe morën pengje.
Në përgjigje, ushtria e Izraelit nisi sulmet nga ajri në Rripin e Gazës, ndërsa Qeveria e vendit shpalli zyrtarisht luftë kundër Hamasit.
Arsyet e sakta të sulmit të Hamasit nuk janë të qarta, por dhuna mes dy palëve ka qenë në rritje prej muajsh.
Komandanti i Hamasit, Mohammed Deif, u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen operacionit të grupit kundër Izraelit.
Askush “nuk dëshiron të shohë ndonjë përshkallëzim rajonal”, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak.
Ai tha se Hamasi dhe mbështetësit e tij janë “plotësisht përgjegjës për aktin e tmerrshëm të terrorit” në Izrael, për “vrasjen e civilëve dhe rrëmbimin e njerëzve të pafajshëm”.
Një skenar i keq do të ishte përfshirja e grupit të fuqishëm militant libanez, Hezbollah.
I parë si kërcënim i madh nga Izraeli, grupi mbështetet prej vitesh nga Irani dhe ka lidhje të ngushta me Hamasin.
“Nëse Izraeli dërgon trupa tokësore në Gazë ose bën diçka tjetër drastike, atëherë Hezbollahu mund të hapë një front në Liban dhe ta mbrojë vendimin e tij duke thënë se nuk ka zgjidhje, duhet ta mbrojë Palestinën”, tha për France24 Hussein Ibish, nga Instituti i Shteteve Arabe të Gjirit.
“Do të mund ta shohim Izraelin në një luftë me shumë fronte, me grupe të ndryshme të rezistencës - shumica e tyre nën kontrollin e Iranit”, tha ai.
“Irani është, sigurisht, mbrojtës i Hezbollahut [si dhe i grupeve të tjera militante palestineze]. Ekziston një rrezik gjithnjë e më i madh për një konflikt me dy fronte, i cili do të shkatërronte pjesë të Izraelit dhe një pjesë të madhe të Libanit, ku është i bazuar Hezbollahu. Ekziston rreziku i përshkallëzimit”, vlerësoi instituti me seli në Nju Jork.
Irani, armik i betuar i Izraelit, ishte ndër vendet e para që mirëpriti ofensivën e Hamasit kundër Izraelit.
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se vendi i tij e mbështet mbrojtjen legjitime të kombit palestinez, duke shtuar se Izraeli dhe mbështetësit e tij “janë përgjegjës për paqëndrueshmërinë në rajon” dhe se ata “duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë çështje”. Ai u bëri thirrje qeverive myslimane që “ta mbështesin kombin palestinez”.
Sipas një analize të Këshillit Atlantik, nëse Hezbollahu përfshihet në konflikt, “Izraeli do të përballet me një luftë mbarëkombëtare që nuk e ka përjetuar tash e sa dekada”.
Hezbollahu, sipas gazetës Financial Times, ka një arsenal raketash shumë më të madh dhe më të sofistikuar se Hamasi, i cili tenton të mbështetet në raketat e bëra vetë.
“Përfshirja e tij në konflikt do të kërcënonte ta mposhtte sistemin mbrojtës të Kupolës së Hekurt të Izraelit”.
Sky News kujtoi se marrëveshja e paqes midis Arabisë Saudite dhe Izraelit dukej se ishte afër, por “ajo që do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, mund ta vërë atë në dyshim”. “Ndoshta ky është qëllimi i Hamasit”, shkroi mediumi britanik.
Sipas tij, ky nuk është rund i zakonshëm i dhunës - “është shumë më serioze se kaq” dhe “inkursioni tokësor nuk përjashtohet”.
Ushtria izraelite urdhëroi një përforcim masiv të trupave, ndërsa tubime për të shprehur mbështetje për Hamasin, u mbajtën në të gjithë Lindjen e Mesme.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor, në një demonstrim mbështetjeje për të, pas sulmit të Hamasit.
Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?
Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin.
Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.
Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.
Ai udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007.
Hamasi në tërësi - ose në disa raste krahu i tij ushtarak - cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.