Loja mes policisë dhe taksive ilegalë që po zhvillohet për çdo ditë në qendër të qytetit të Mitrovicës, ka marrë vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët nuk flasin para kamerës nga frika e hakmarrjes, por prapa saj, secili tregon përjetimet e tyre që ndërlidhen me kaosin në komunikacion afër ish tregut në këtë qytet.
Aty ndodhet njëra prej pikave të ndaljes së autobusëve, e cila pothuajse çdoherë është e zënë nga taksitë ilegalë, dhe si rrjedhojë, autobusët detyrohen të ndalen midis rruge për të marrë udhëtarët, duke shkaktuar kështu kolona të gjata të automjeteve, pritje disa minutëshe e nervozizëm tek vozitësit, ndërsa ka pasur edhe raste të përplasjeve mes vete.
Gani Azemi, qytetar, ka akuzuar policinë për mos punë, duke thënë se një patrullë e tyre duhet të qëndrojë vazhdimisht te ky lokacion, në mënyrë që të zgjidhet ky problem.
“S’ka asgjë prej tyre, e sheh çfarë dallaveresh bëhen. Ku janë, tash kalova dhe shikova, nuk e gjen policinë aty, fajtorë kryesorë janë ata të cilët nuk i zbatojnë urdhrat.. Jo më shpesh, por një patrullë aty me qëndru, ne kemi policë mjaft, janë më shumë se 8 mijë. Këtyre herave as në kafene nuk kishe ku ulesh prej tyre”, theksoi Azemi.
“Inspektorati i komunës dhe policia duhet me i rregullu këto punë…(Policia) s’po e kryn punën e saj, por duhet me kry”, tha ai.
Ndërkaq, Kushtrim Hasani, pronar i njërës nga kompanitë e transportit, thotë se ky është një problem që 20 vite, ndërsa fajëson inspektorët komunalë dhe komunën, për të cilët thotë se mund ta zgjidhin këtë kaos.
Valon Brahimi, drejtor i Inspektoratit në Mitrovicë, u shpreh se përveç inspektoratit, përgjegjësi mban edhe policia për shkarkimin e komunikacionit, si dhe trajtimin e taksive ilegalë.
Ai ka pranuar se Inspektorati komunal ka stagnuar pak në këtë çështje, duke u arsyetuar në mungesë të inspektorëve të trafikut.
Ai shpreson se brenda dy-tre viteve ky problem mund të zgjidhet, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë në mes tyre dhe policisë.
Brahimi: Ne besojmë se policia ka ndërmarrë veprime, por ankesat e qytetarëve flasin ndryshe
Në anën tjetër, përfaqësues të policisë rajonale në Mitrovicë, të cilët zakonisht nuk preferojnë të flasin para kamerës, në një përgjigje përmes postës elektronike drejtuar KosovaPress-it, nuk i konsiderojnë parkime të parregullta taksitë ilegalë, të cilët parkohen në një lokacion që edhe me shenjë i dedikohet autobusëve dhe jo atyre.
Policia e quan ndalim i përkohshëm të autotaksive të cilët qoftë edhe përkohësisht, mbi 50 herë në ditë krijojnë kolona të gjata dhe kaos në trafik, duke mos ndërmarrë asnjë masë ndaj tyre.
Ekipi i KosovaPress-it, ka qëndruar për disa orë të enjten tek ky lokacion ku ka pasur parkime të parregullta të automjeteve, por nuk ka vërejtur ndonjë masë ligjore të paraparë me dispozitat e ligjit për siguri në trafik, që është shqiptuar nga ana e policisë, edhe pse kanë qarkulluar vazhdimisht në këtë rrugë.
“Ju njoftojmë se në lokacionin të cilit ju i referoheni, nuk ka parkime të parregullta, mund të ketë ndalim të përkohshëm të autotaksive. Kurdo që policia has në ndalime të parregullta merr masat ligjore të parapara me dispozitat e ligjit për siguri në trafik. Kurse sa i përket çështjes se autotksistëve kjo çështje është kompetencë e inspektorëve komunal. Policia në vazhdimësi ka ofruar dhe vazhdon të ofroj asistim për inspektorët komunal”, thuhet në përgjigjen e policisë. /A.Damati/