Njohësi i çështjeve të sigurisë, Dorajet Imeri, ka kundërshtuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pretendimet e vazhdueshme të Listës Serbe lidhur me votat që Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka marrë jashtë komunave me shumicë serbe.
Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që e quajti Partinë e udhëhequr nga Nenad Rashiqi “Lista Kurti”, duke u mbështetur në votat që ky subjekt i kishte marrë jahstë komunave me shumicë serbe, por që rezultoi që në të njëjtat komuna vota të merrte edhe Lista Serbe.
E, për Dorajet Imerin kjo deklaratë e Vuçiqit përmban një kundërthënie të qartë, pasi siç thotë ai, presidenti serb problematizon votat e Rashiqit në komunat me shumicë shqiptare, ndërkohë që nuk e trajton në të njëjtën mënyrë faktin se edhe Lista Serbe ka siguruar mijëra vota jashtë bastioneve të saj (komunave me shumicë serbe).
“Deklarata e Vuçiqit për zgjedhjet në Kosovë përmban një ndërthënie të qartë. Nga njëra anë ai pretendon se votat e marra nga Nenad Rashiq jashtë komunave me shumicë serbe janë problematike, por kjo nuk paraqet problem për votat që Lista Serbe ka marrë edhe në komunat ku nuk jetojnë serbët. Sipas rezultateve zgjedhore Lista Serbe ka siguruar 6 mijë e 330 vota në 23 komuna, jashtë 10 komunave me shumicë serbe, ku e ka bazën e saj tradicionale dhe qeverisin në nivelin lokal”, tha Imeri.“Votat për Listën Serbe janë evidentuar edhe në komuna si në Podujevë, Shtime, Ferizaj, Viti Malishevë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Mamushë ku komuniteti serb nuk ekziston. Në demokraci legjitimiteti i mandatit nuk matet me vendbanimin e votuesit, por me faktin nëse vota është hedhur në mënyrë të lirë dhe sipas ligjit, çdo interpretim tjetër përmban një standard të dyfishtë për manipulim në këto zgjedhje”, tha ai.