Gjykata Penale në Shkup i liroi sot katër të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlament në vitin 2017, pasi prokuroria dhe Gjykata e Apelit kërkuan që ata të përfshiheshin në Ligjin e Amnistisë.
Ngjarja ishte cilësuar atëherë si përpjekje terroriste për rrënimin e rendit shtetëror, ndërsa katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së, sipas akuzës kishin mobilizuar persona për t’u futur me forcë në parlament dhe për të ushtruar dhunë, raporton VoA.
Rasti i tyre përfshihet në Ligjin e Amnistisë të miratuar në vitin 2018, ndonëse ata akuzoheshin për veprën “rrezikim terrorist ndaj rendit shtetëror”.
“Nga selia e VMRO-së, Janakievski dhe Ristovski vazhdimisht mobilizonin anëtarë të partisë nga Shkupi dhe qytete ë tjera për t’u futur me forcë në parlament”, sipas akuzës.
Grupet dhe individët e dhunshëm sulmuan fizikisht deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, teksa ky i fundit e pësoi më rëndë.