Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve të saj nga Serbia
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Shqipëria reagon pas shpalljes ‘non-grata’ të dy shtetasve shqiptarë nga Serbia
1 orë më parë
Linku u kopjua

Ambasadori i Serbisë Slobodan Vukçeviq është ftuar sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, pas shpalljes “non-grata” të dy shtetasve shqiptarë të cilët ishin pjesë e një seminari të shoqërisë civile në Beograd.

MEPJ e Shqipërisë kërkoi nga ambasadori serb sqarime lidhur me rastin dhe theksoi nevojën që Serbia të rishikojë apelimin e vendimeve të marra, si dhe u kërkua të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

MEPJ e Shqipërisë tha ndalimi dhe largimi nga territori i Serbisë i dy përfaqësuesve të shoqërisë civile nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet për të ruajtur marrëdhëniet e mira fqinjësore,  dhe se ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë.

“Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd”, thuhet në reagimin e MEPJ të Shqipërisë në Facebook.

Me argumentin se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Gjatë 21 dhe 22 janarit ata ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat jo qeveritare mundet të krijojnë të ardhura”. Një aktivitet tërësisht apolitik dhe pa asnjë lidhje me protestën antiqeveritare nisur prej nëntorit të vitit të shkuar.

Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë,  ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025