Inxhinieri serb, Zoran Gjajiq ka konfirmuar sot se është ftuar nga Gjykata Themelore në Novi Sad si dëshmitar në lidhje me rënien e një çatie betoni së stacionit hekurudhor para disa ditësh në Novi Sad, e cila la të vdekur 15 persona dhe dy të plagosur rëndë.
Gjajiq, i cili punoi si konsulent për Institutin CIP për rindërtimin e ndërtesës së Stacionit Hekurudhor deri në mars 2023, ishte i pari që paralajmëroi për cilësinë e dobët të punës së kryer, si dhe i pari që mohoi pretendimet e autoriteteve se çatia e betonit nuk ishte menduar për rindërtim, shkruan beta.rs.
Lidhur me rënien e çatisë së betonit ka folur edhe Miodrag Jovanoviq, profesor universitar në Beograd, i cili ka thënë se ajo që duhet të mbetet në epiqendër të vëmendjes është fakti se presidenti Aleksandër Vuciq ka gënjyer popullin.
“Ajo në të cilën duhet fokusuar është se njeriu i parë i këtij vendi, presidenti Aleksandar Vuçiq, ka gënjyer se çatia e betonit nuk është rikonstruktuar dhe ja ku filloi gjithçka – kjo nuk duhet harruar”, ka thënë ai për N1.Stacioni i trenit në Novi Sad, i ndërtuar fillimisht në vitin 1964, është rinovuar dy herë në vitet e fundit dhe është inauguruar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe aleati i tij populist, kryeministri hungarez Viktor Orban, më shumë se dy vjet më parë si një ndalesë kryesore për një linjë treni të shpejtë të planifikuar midis Beogradit dhe Budapestit.