Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale miratoi raportin e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Ndërmarrjet Sociale.
Anëtarët e këtij komisioni theksuan se ky ligj që është miratuar në Kuvend në vitin 2018, ende nuk ka gjetur zbatim.
“Kemi diskutuar disa herë për këtë ligj, kemi menduar që kemi gjetur shumë pika të forta e të dobëta. Një nga të metat e ligjit është që në kuptimin e mosfunksionimit, moszbatimit në terren, kemi konstatuar se ka qenë periudha e pandemisë, ngase ligji është miratuar në Kuvend të Republikës në vitin 2018 ndërkohë që nuk ka qenë kohë e përshtatshme për të ndërmarrë iniciativa të ndryshme për këto ndërmarrje të vogla sociale. Ligji në vetvete ngërthen edhe komponentën humane, ka ardhur si nevojë për ta pasuruar legjislaturën e vendit tonë”, tha Demi.
Në anën tjetër, kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku derisa ka përmendur disa nga të gjeturat e Ligjit për Ndërmarrjet Sociale, ka theksuar se nuk ka pasur bashkëpunim dhe koordinim të mirëfilltë në mes të qeverisë dhe komunave për zbatim të ligjit dhe për fushata informuese.“Nuk ka pasur aplikim të mjaftueshëm dhe deri me tani nuk është themeluar asnjë ndërmarrje sociale. OJQ-të dhe grupet e cenueshme nuk kanë qenë mirë të informuara me dispozitat ligjore, dhe ato pohojnë se nuk kanë pasur kapacitete të mjaftueshme për themelim të ndërmarrjes sociale edhe pse e kanë mirëpritur miratimin e Ligjit për ndërmarrjet sociale. Ligji ka disa mangësi dhe paqartësi dhe disa ndryshime në ligj mund të ndihmojnë që ai të bëhet më i zbatueshëm ”, tha ajo.