Ligji për gjuhët në MV, shtyhet seanca e Gjykatës Kushtetuese
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
gjykata-780x439-1
1 orë më parë
Linku u kopjua

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e ka shtyrë seancën për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Gjykata Kushtetuese vendosi të ketë seancë përgatitore në të cilën, ekspertë profesorë, por edhe parti politike të marrin pjesë në debat, ku secili do të mund të paraqes argumentet e tij në lidhje me Ligjin për Gjuhët, raporton Alsat.

Propozimi kaloi me 5 vota për dhe vetëm një kundër.

Kundër këtij propozimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska e cila që sot njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën përgatitore. Sipas saj, një gjë e tillë është e panevojshme duke pasur parasysh faktin se “kemi një vendim të Komisionit të Venecias”.

Ndërkohë gjykatësit që pranuan propozimin thanë se qëllimi është që të tregohet transparencë.

Ndërkaq, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti i cili ka qëndruar para Gjykatës Kushtetuese në Shkup derisa në rend dite aty ishte diskutimi për Ligjin për gjuhët, ka thënë që gjykatësit nuk duhet të marrin vendime të njëanshme.

Ai ka kërkuar që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në Maqedoninë e Veriut.

“Duam që mos të bëhet patriotizëm me çështje të ndjeshme dhe të bëhet fushatë me fjalor anti-shqiptar. I lus gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme dhe selektive, pasi nuk i bënë mirë demokracisë e as bashkëjetesës. Marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit”, ka thënë Ahmeti.

Seancën e Kushtetueses ku po debatohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve e ka braktisur gjyqtari Fatmir Seknder.

Ai ka kërkuar anulimin e seancës që ndërkohë të mundësohet prania e gjykatësve Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, por asnjë nga gjykatësit nuk e ka pranuar propozimin e tij.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.

Debati për këtë temë është rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, parti maqedonase e cila e kishte kundërshtuar këtë ligj.

Kjo parti tani bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.

Ligji për gjuhët ka mbetur në Kushtetuese tash e pesë vjet, pas disa iniciativave që u parashtruan nga parti politike, shoqata dhe qytetarë.

https://kosovapress.com/kushtetuesja-ne-maqedonine-e-veriut-shqyrton-sot-ligjin-per-gjuhet

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024