Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri ka reaguar lidhur me debatin mediatik për situatën e cilësisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare duke theksuar se “për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar”.
Reagimi i plotë zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:
Në lidhje me debatin mediatik për situatën e cilësisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare në vijim të komunikimeve të mëparshme në deklaratat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sqarojmë publikun se:
Për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar. Ky raport nuk duhet të dëmtojë mundin dhe djersën e një viti prodhimi të fermerëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të krijojë shqetësim dhe panik tek konsumatori.Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në datën 19.12.2024, u kryen inspektime dhe evidentime të përbashkëta në Fshatin Mursi të Bashkisë së Konispolit, ku ushtron aktivitet kultivues një nga fermerët, i cili kishte asgjësuar produktin mandarinë. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat, Bashkia Dimal.
Informojmë konsumatorin lidhur me dy ngarkesat e tjera, të raportuara nga shteti i Kroacisë për mbetje të pesticideve sipas njoftimit të sistemit RASFF, se njëra është asgjësuar në shtetin Kroat, ndërsa tjetra nuk është kthyer ende në vendin e origjinës. Janë njoftuar të gjitha PIK që në rast kthimi të produktit, të bëhet bllokimi i menjëhershëm i tij me destinacion asgjësimin.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka të miratuar dhe në zbatim Planin e Veprimit për Përdorimin e Qëndrueshëm të Pesticideve, i cili përfshin të gjithë zinxhirin e veprimit me strukturat qëndrore dhe institucionet e vartësisë, pa përjashtuar mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe prodhuesve shqiptarë. Qëllimi i këtij Planit i Veprimit, është përdorimi i duhur dhe i sigurt i PMB-ve, për mbrojtjen e shëndetit të bimëve për të garantuar prodhim me cilësi dhe të sigurt për konsumatorin, si dhe mbrojtjen e mjedisit ku përdoren.
Ndërkohë që ka vijuar puna e vazhdueshme për ndërgjegjësim për prodhimin e produkteve biologjikisht të pastra me anë të luftës biologjike, e cila vjen edhe me një nxitje fiskale lehtësuese. Përdorimi strikt i protokolleve dhe ndalimi i përdorimit të pesticiteve të ndaluara edhe në vendet e Bashkimit Europian është fakt. Kërkohet që edhe ata pak fermerë që tentojnë në mënyrë të paligjshme përdorimin e tyre të kuptojnë se kjo mënyrë ka vetëm një mundësi: zbulimin dhe vënien përpara ligjit pasi kontrollet dhe gjurmueshmeria është shumë e lartë. Fermerët shqiptarë, prodhuesit, grumbulluesit dhe eksportuesit duhet të bashkëpunojnë për të zbatuar praktikat më të mira bujqësore në të gjithë zinxhirin e prodhimit, deri tek konsumatori.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është transparente dhe ka të publikuar në faqen e saj zyrtare, listën e PMB-ve dhe etiketave të përdorimit, si dhe listën e produkteve plehëruese, të cilat përditësohen vazhdimisht duke i bërë të qartë fermerëve të mos përdorin produkte kontrabandë që janë të ndaluara në vendet e BE-së dhe në vendin tonë. Fermerët, çdo përdorues apo konsumator ka aksesin e mundëshëm për të marrë informacionin e plotë jo vetëm për përdorimin, por dhe pasojat nga keqpërorimi i tyre.