Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të shqyrtojë sot në një seancë atë që nxiti debat tash e sa kohë - Ligjin për gjuhët, i miratuar më 2018.
Reagime politike janë shkaktuar në Shkup pas vendimit për të shqyrtuar këtë ligj, shkruan KosovaPress.
BDI e ka quajtur ligjin simbol i Marrëveshjes së Ohrit duke thënë se në të bazohet barazia gjuhësore.
Sipas partisë së drejtuar nga Ali Ahmeti, shfuqizimi i këtij ligji do të nënkuptonte “rrënim të njërës prej shtyllave kyçe të Marrëveshjes së Ohrit”.Dokumenti që njihet si kontratë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i dha fund një konflikti të armatosur në Maqedoninë e atëhershme.
Ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski tha për mediat se po diskutojnë me partnerët e koalicionit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve por sipas tij askush nuk duhet të ndërhyrë në gjykatë.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.
Debati për këtë temë është rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, parti maqedonase e cila e kishte kundërshtuar këtë ligj.
Kjo parti tani bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.
Ligji për gjuhët ka mbetur në Kushtetuese tash e pesë vjet, pas disa iniciativave që u parashtruan nga parti politike, shoqata dhe qytetarë.
https://kosovapress.com/a-po-rrezikohen-te-arriturat-e-shqiptareve-ne-maqedonine-e-veriut