Sulmuesi polak Robert Lewandowski pritet të largohet nga Barcelona në fund të sezonit, duke i dhënë fund një periudhe të suksesshme katërvjeçare në “Camp Nou”. Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e klubit katalanas kishin ofruar vazhdimin e kontratës edhe për një vit, por me ulje page dhe rol të reduktuar, gjë që nuk është pranuar nga sulmuesi veteran.
Që nga transferimi i tij në vitin 2022, Lewandowski ka qenë një nga figurat kryesore të ekipit, duke realizuar rreth 120 gola në të gjitha garat. Megjithatë, me afrimin e moshës 38-vjeçare dhe me planet e klubit për rinovim të skuadrës, ndarja mes palëve duket e pashmangshme.
Ndërkohë, Barcelona ka nisur kërkimet për zëvendësuesin dhe në krye të listës ndodhet Julian Alvarez. Sulmuesi i Atletico Madrid vlerësohet rreth 120 milionë euro, një shumë që paraqet sfidë për klubin katalanas në aspektin financiar.
KosovaPress