Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur takimin e parë konstituiv të Departamentit të Arsimit, në kuadër të programit politik “Rruga e Re”.
Pas takimit, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Sadriu-Lushaku tha se gjatë takimit është diskutuar për sfidat në arsim dhe se cilat janë prioritet e tyre në këtë fushë.
"Sot kemi pasur takimin e parë konstituiv të Departamentit të Arsimit, i cili e ka diskutuar programin 'Rruga e re', pjesën që ka të bëjë me arsimin, me shkencën me teknologjinë dhe kemi diskutuar për sfidat dhe për mundësitë që mund t'i kemi përgjatë kohës ë qeverisjes, çka do të ndërmarrim, cilat janë prioritet tona në arsim. Kemi diskutuar edhe për sfidat që janë aktuale dhe ndërhyrjet e menjëhershme që do të bënim. Kemi përmendur si një ndërhyrje të parë, që do ta rrisim koeficientin në 150 për mësimdhënësit për t'i dhënë fuqi mësimdhënësit për ta realizuar reformën më mirë, për të garantuar cilësi në arsim por edhe për të dëshmuar që arsimi është prioriteti ynë qeveritar”, tha ajo.
Tutje, Lushaku tha është biseduar edhe për mundësinë e realizimit të mësimit tërë ditor si një reformë në arsim.
"Pastaj kemi folur për ri organizmin e shkollave, realizmin e mësimit tërë ditor si një pikënisje e një reforme që do të jetë një model që do të aplikohet në gjithë Kosovën. E kemi paraparë që në pesë komuna të fillojmë dhe Prishtina do të startojë prej 1 shtatorit dhe kjo tregon për përkushtimin tonë për ta ngritur cilësinë, për t’i dhënë fuqi zhvillimit të fëmijëve në fëmijërinë e hershme prej klasës së parë e deri te pestën që është rekomandimi kryesor i testit PISA. Ajo që ka dalur nga rezultate të cilat janë vlerësuar nxënësit tanë. Pastaj kemi folur edhe për shkencën, ndërlidhjen me kërkesat e tregut, për ndërhyrjet tona se si do t'i lidhim shkollat profesionale me nevojat e tregut në Kosovë. Por, gjithmonë duke pasur parasysh që nxënësit janë qendra e zhvillimit të arsimit që gjithçka në sistemin e arsimit të jetë në funksion të rritjes së cilësisë", tha ajo.
Në fund, Lushaku-Sadriu përmendi edhe digjitalizimin e shkollave për të cilin tha se është proces shumë i rëndësishëm, pasi kjo do të mundësonte menaxhim më të mirë të mësimdhënies.