Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se mbështesin amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, këto amendamente janë propozuar dhe hartuar nga vetë LDK-ja që në vitin 2011 dhe një vit më pas kanë kaluar edhe filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Abdixhiku theksoi se partia e tij e ka rikthyer këtë ide edhe vitin e kaluar si pjesë e përpjekjeve për të dalë nga ngërçi institucional.
Megjithatë, Abdixhiku theksoi se këto amendamente nuk kanë arritur të miratohen për 14 vite me radhë për shkak të kërkesës për shumicë të dyfishtë në Kuvend, respektivisht dy të tretat e votave të deputetëve shqiptarë dhe dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Sipas tij, edhe nëse amendamentet do të miratoheshin menjëherë, ato nuk do të hynin në fuqi para gjashtë muajve, ndërkohë që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit është shumë afër skadimit.Në fund, Abdixhiku theksoi se në orët e fundit para afatit kushtetues, çështja e zgjedhjes së presidentit po shndërrohet më shumë në një lojë politike për atribuim fajësie sesa në një përpjekje të sinqertë për zgjidhje.