Lidhja Demokratike e Kosovë (LDK), ka kërkuar dënimin dhe shkarkimin e të gjithë personave të përfshirë në rastin e foshnjës së vdekur, e cila u fut në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë në Spitalin e Pejës.
Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj në një konferencë për media ka thënë se ky rast tregon paaftësinë e Qeverisë menaxhuar me sektorin e shëndetësisë, derisa e bën përgjegjës kryeministrin Albin Kurti, duke e quajtur të “vetë-emëruar ministër të Shëndetësisë”.
Qëndrimi i LDK-së lidhur me rastin e foshnjës së pajetë në Spitalin e Pejës:
Sot, e kemi thirrur këtë konferencë për shtyp për të shprehur shqetësimin tonë të thellë me rastin tragjik që ka ndodhur me foshnjën e pajetë në Spitalin e Pejës, të cilin e cilësojmë si një krim i rëndë i supozuar, dhe për më keq është tentuar që të fshihet nga pushteti për tetë ditë me radhë.
Rasti me foshnjën e pajetë që po hetohet se është futur në rrobalarëse me çarçafë në Spitalin e Pejës, i ka kaluar të gjitha limitet, sepse është tepër i rëndë, është i frikshëm, është kulmi i krimit, ndërsa fshehja e rastit nga pushteti përgjegjës është super krim.
Mësohet se për këtë rast tragjik, Spitali i Pejës e ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, mirëpo këta të fundit për tetë ditë me radhë e kanë fshehur këtë rast të tmerrshëm, duke u bërë kështu edhe bashkëpjesëmarrës në këtë krim të pretenduar.
Fatkeqësisht, u faktua ajo që kisha thënë para disa kohe, se vetëm Kurti është më i dobët dhe më i dëmshëm se ministrat e tij të shëndetësisë.
Kryeministri Kurti është i pari që duhet ta shkarkojë vetën nga pozita e drejtuesit të shëndetësisë, sepse rasti i foshnjës në Pejë, është skandali me tragjik i mundshëm.
Së paku mos ta dëmtoj më tej shëndetin e qytetarëve,
Së paku mos të investoj më tej në ikjen e mjekëve dhe profesionistëve shëndetësor nga vendi,
dhe assesi që të lejoj të ndodh apo të tentoj të fsheh ndonjë krim eventual.
Se paaftësia qeverisëse dëmton rëndë shëndetin, ne e kemi thënë me kohë.
Mos të harrojmë se jo shumë ditë nga sot, në duar të shtetit që menaxhohet nga ky pushtet i paaftë, u vra edhe një nënë e cila prite që ta sillte fëmijën e saj në jetë.
Zoti na ndihmoftë nga paaftësia e kësaj Qeverie!“